E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk i kam unë 700 mijë euro

Besnik Berisha, drejtor në pezullim i Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka mohuar të ketë ikur obligimeve tatimore, duke i cilësuar si shpifje raportet e mediave për 700 mijë euro që ai i ka pa mbulesë.

“Deklaroj me përgjegjësi morale e materiale se të gjitha qarkullimet e mia bankare janë të arsyetuara dhe nuk i kam ikur në asnjë moment obligimeve ndaj shtetit. Kërkoj nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Administrata Tatimore e Kosovës të deklarohen lidhur me 700 mijë eurot pa mbulesë që i paskam unë”, ka thënë Berisha.

Gjithashtu ai ka kërkuar të bëhen publike të gjitha të dhënat si nga AKI ,ATK, dhe qarkullimet e tija bankare.

“Mbetem pranë kundërshtimeve të mia lidhur me ndërhyrjen e personave në mosdhënien e lejes së sigurisë nga ana AKI-së dhe kërkoj hetim të rastit tim”, ka thënë Berisha, duke ftuar prokurorinë përkatëse të hetoj pretendimet e ngritura./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›