E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Nxitje e investitoreve pakistanez per te shfrytezuar potencialet qe ofron Shqiperia

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetaren e Asamblesë Parlamentare të Pakistanit, znj. Fehmida Mirza dhe delegacionin që e shoqëronte atë.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që priste në këtë takim znj. Mirsa, si Kryetaren e parë femër në historinë e Parlamentit pakistanez, çka tregon përpjekjet e këtij vendi për të konsoliduar një shoqëri demokratike bazuar në parimet e barazisë gjinore dhe liritë dhe të drejtat e njeriut.

Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e Kryetares së Asamblesë Parlamentare të Pakistanit, znj. Mirza, si një kontribut të madh në zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira politike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe qeverive dhe në forcimin e thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe popujve miq.

Kryetarja e Asamblesë Parlamentare të Pakistanit, znj. Mirza, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet e përzemërta të Presidentit dhe Kryeministrit pakistanez.

Në takim u ripohua vendosmëria e të dy vendeve për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, arsimit, shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, si dhe në nxitjen e investitorëve pakistanez për të shfrytëzuar potencialet që ofron Shqipëria.

Zonja Mirza vlerësoi arritjet e mëdha të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Kryeministrit Berisha në përparimet që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre 20 viteve, për sa i përket konsolidimit të demokracisë, zhvillimit me ritme të shpejta të vendit, etj
Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i kërkuar Kryetares se Asamblesë Parlamentare, znj Mirza, që Pakistani të marrë në konsideratë e të shqyrtojë çështjen e pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar njohjen e pavarësisë së shtetit më të ri të Evropës, si një kontribut të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon. Nga ana e saj, Kryetarja e Asamblesë Parlamentare të Pakistanit siguroi se kjo çështje po shqyrtohet me seriozitet dhe se parlamenti do luajë rol aktiv në këtë drejtim.

Në takim, gjithashtu, u vlerësua kontributi që Shqipëria ka dhënë dhe vijon të japë në Koalicionin ndërkombëtar, në Afganistan, në ndihmë të një populli mik i cili po bën përpjekje të jashtëzakonshme për ndërtimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve, si dhe u shpreh angazhimi i të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit, në kuadër të bashkëpunimit në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit, si në Afganistan ashtu edhe më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›