E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, OSBE-së: Media ka njohur zhvillim të jashtëzakonshëm, nuk censurohet

Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me përfaqësuesen e OSBE-së për lirinë e medias u shpreh se, për qeverinë zgjerimi i lirisë së medias është një prioritet kryesor.

Gjatë takimit me përfaqësuesen e OSBE-së për lirinë e medias, Dunja Mijatovic, kryeministri e cilësoi median si një nga shtyllat kryesore të demokracisë së një vendi.

Shqipëria në 20 vite ka bërë hapa të jashtëzakonshme në drejtim të lirisë së medias, tha kryeministri Berisha.

Kreu i qeverisë tha se, “sot në Shqipëri nuk ekziston më censura, ndërkohë që sektori i medias ka njohur zhvillim të jashtëzakonshëm, qoftë në aspektin sasior, edhe në atë cilësor”.

Berisha e vlerësoi edhe rolin kritik të medias ndaj punës së qeverisë dhe e cilësoi atë si një element themelor për ecjen përpara.

Media ka luajtur një rol të madh në luftën kundër korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative duke ndikuar në rritjen e transparencës, – theksoi  Berisha.

Kryeministri u shpreh se, në zbatim të një premtimi elektoral të vitit 2005 është e ndaluar që zyrtarët e administratës të bëjnë kallëzime penale ndaj medias dhe rikonfirmoi angazhimin e tij në ruajtjen e këtij standardi.

Kryeministri e informoi përfaqësuesen e OSBE-së për masat e ndërmarra nga qeveria, në konsensus me opozitën, për dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes dhe rregullimin e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e OSBE-së, Mijatovic, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm vendimin e kryeministrit për ndalimin e kallëzimeve nga zyrtarët e administratës ndaj gazetarëve dhe vlerësoi si një pasojë të rëndësishme të kësaj mase edhe rënien e dukshme të kallëzimeve edhe nga qytetarët e thjeshtë.

Berisha shprehu gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me organizatat e medias në vend dhe me OSBE-në për forcimin dhe konsolidimin e lirisë së medias, si dhe theksoi rëndësinë e forcimit të profesionalizmit dhe të pavarësisë së brendshme të saj, si kushte themelore në këtë kuadër.

Në takim u diskutua edhe për nevojën për reformim të medias publike si dhe shtrirjen e dixhitalizimit në përputhje me direktivat përkatëse. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›