E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Liderit e partive të bashkohen në një Aleancë Mirëbesimi për integrimin e vendit

Fatos Nano

Në një deklaratë për mediat lëvizja Pro Nanos, i bën thirrje kryetarëve të partive politike të mos humbasin asnjë çast, asnjë rast, asnjë ditë më tepër duke u përkushtuar plot mirëbesim për tiu dhënë zgjidhje shqiptarëve dhe për të përmbushur të gjitha kriteret dhe detyrimet që ka vendi ynë përpara BE-së.

Në deklaratë thuhet se, Fatos Nano po përmbush angazhimet e veta në të mirë të vendit duke vazhduar takimet intensive me aktorë e faktorë kuvendorë, politikë nga i gjithë spektri, partnerë euroatlantikë, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, akademikë etj.

Dialogu, komunikimi, mirëbesimi, bashkërendimi dhe bashkëpunimi janë domosdoshmëri demokratike dhe përgjegjësi e detyrim i lartë përpara qytetarëve. Fatos Nano inkurajon kryetarët e partive që të bëjnë të gjitha përpjekjet që të mbërrijnë me pjekuri në marrëveshje parimore, transparente dhe në favor të përparimit të axhendës së Integrimit Europian të vendit tonë, shkruan lëvizja Pro Nanos.

Nano kërkon që para ardhjes në Shqipëri të Stefano Saninos, i dërguari i Komisionerit Stefan Fule, të gjendet një zgjidhje për presidentin e ardhshëm.

Ne shqiptarët, ne klasa politike shqiptare kërkohet të dëshmohemi të aftë për të prodhuar zgjidhje e të bëjmë zgjedhje të mira dhe se e meritojmë të bëhemi një vend i denjë anëtar i Bashkimit Europian.

Në deklaratë citohet se, Fatos Nano inkurajon të gjithë liderët politikë në vend që të bëhen së bashku në një Aleancë të Madhe Mirëbesimi, për të ndërtuar procese të mirëbesuara e mirëkuptuara në mënyrë që të sigurohen produkte demokratike, të lira, properëndimore, proeuroatlantike.

Nono shprehet se, kategorizimi i kandidaturave është shprehja më e qarte e kulturës së gabuar jodemokratike, joperëndimore që nuk prodhon dot kurrësesi fryte pozitive për shqiptarët dhe Shqipërinë. Sipas Nanos, kategorizimi i kandidaturave është vetëjustifikimi i kryetarëve për të mbajtur nën kontroll situatën, për të vazhduar lojërat e pushtetit, për të fshehur dështimin e tyre në kapacitetin për të mirëbesuar dhe bashkërenduar me njëri-tjetrin, asgjësimin e garës dhe konkurrimit të lirë, përjashtimin e publikut nga pjesëmarrja dhe konsultimi, si edhe për të fshehur deformimin e madh dhe zhvendosjen nga aksi dhe kultura demokratike e perëndimore. Kategorizimi i kandidaturave u mohon shqiptarëve mundësinë për të patur në krye të shtetit të tyre, presidentin më të mirë për ta.

Nano ndër të tjera shkruan se e gjykon se, nuk ka tirani e dhunë më të rëndë për jetën dhe shpresën e qytetarëve sesa dhuna dhe tirania e institucioneve, sidomos ajo e institucioneve të drejtësisë. Kjo dhunë demonstrohet si shpërfillje, mosveprim, dekadencë, korrupsion, vonesë, zvarritje apo arrogancë. Kjo lloj dhune prek drejtpërdrejt qytetarët, të varfrit, të dobëtit, të pamundurit për shkak të kufizimeve financiare, fizike apo sociale. Drejtësia i jep kuptim lirisë, demokracisë dhe zhvillimit, shkruhet në deklaratë. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›