KiE për Presidentin e ri: Të jetë konsensual ose i pranueshëm

Këshilli i Europës kërkon nga palët politike në Shqipëri të arrijnë një marrëveshje konsensuale për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Në raportin që monitoruesit e Këshillit të Europës kanë publikuar sot theksohet se zgjedhjet presidenciale të mos bëhen burim të tensionimit të situatës politike në Shqipëri.
“Zgjedhjet presidenciale duhet luajnë një rol të rëndësishëm duke normalizuar klimën politike në Shqipëri. Kështu është e rëndësishme që këto zgjedhje të mos bëhen një burim tensioni dhe ta çojnë politikën në një rrugë pa krye. Forcat kryesore politike duhet të përpiqen të arrijnë një marrëveshje konsensuale dhe të pranueshme nga të dyja palët për kandidatin për president të vendit” thuhet në raport.
Gjithashtu në raport theksohet se edhe pse klima politike në vend ka ndryshuar gjatë muajve të fundit, ajo vijon të jetë e tensionuar dhe kjo u vu re gjatë misionit të dy raportuesve në Shqipëri në datat 2 dhe 3 prill të këtij viti.
Sipas KiE- si mazhoranca dhe opozita, muajt e fundit janë udhëhequr në politikën e ditës nga bashkëpunimi, dëshira e vullneti i mirë për bashkëpunim, me synimin që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë.
Në këtë kontekst, KiE i bën thirrje mazhorancës dhe opozitës të vijojnë bashkëpunimin konstruktiv dhe dialogun duke nënvizuar se zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës duhet të shërbejë për normalizimin e mëtejshëm të klimës politike.
Këshilli i Europës ka vlerësuar edhe punën që po bëhet për miratimin e reformës zgjedhore.“Teknologjitë për votimin elektronik duhet të aplikohen në të gjitha qendrat e votimit duke përfshirë edhe ato ku kushtet mund të jenë të pafavorshme për teknologji të tilla, relativisht të paprovuara. Ne rekomandojmë që kjo mënyrë e re të aplikohet në një projekt pilot, vetëm në disa qendra votimi gjatë zgjedhjeve të ardhshmë”, theksojnë reporterët.
Gjithashtu Këshilli i Europës mirëpret nismën e partive kryesore për mendimin e Kushtetutës për të ligjëruar heqjen e imunitetit. “ Në këtë aspekt ne vlerësojmë edhe prioritet që KE ka vendosur për këtë çështje”, thuhet në raport.
Reporterët deklarojnë se do ta vizitojnë sërish Shqipërinë në vjeshtën e këtij viti, pas përfundimit të zgjedhjes së presidentit të ri.