Berisha: Objektiv, Shqipëria dixhitale dhe qeverisje e hapur
Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se objektivi themelor i qeverisë është Shqipëria dixhitale dhe një qeverisje e hapur. Duke folur në mbledhjen e komitetit ndërministror të planifikimit të strategjive, kryeministri Berisha theksoi se qeverisja e hapur do të jetë një nga drejtimet kryesore të planifikimit të strategjive edhe për vite në vijim.
Sipas kryeministrit gjatë hartimit të strategjive duhet të merren parasysh edhe objektivat më ambicioze. “Ne kemi një bazë të fuqishme ekonomiko-sociale për të hartuar një strategji me objektivat nga më ambiciozet. Ne kemi vendosur një strategji që i jemi përmbajtur por e cila dhe është tejkaluar nga zhvillimet sepse i tillë ishtë niveli dhe pamja jonë drejt horizontit 5 vite më parë por tani me një horizont të ri kemi një pamje tjetër” ka theksuar më tej Berisha.
Kryeministri Berisha duke iu referuar sistemit të planifikimit të integruar i cili nisi zbatimin në vitin 2008 theksoi se ky sistem ia doli të konsolidohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme në fushën e vizionit dhe të programimit të qeverisë shqiptare.
“Shqipëria bëri përparime të ndjeshme në afrimin me BE-në, firmsoi MSA-në gjë që bëri të domosdoshem që aksi i strategjsië të zhvendosej drejt zhvillimit dhe integrimit. Në vitin 2008 pas një debati që ministritë dhe agjensitë respektive bënë me publikun u miratuan strategjitë kombëtar për zhvillimin dhe integrim. Ky proces ka shërbyer si program i qeverisë në përpjekjet e saj në integrimin e vendi në Bashkimin Europian” ka shtuar më tej Berisha.
Sipas tij, sistemi i planifikimit të integruar nisi zbatimin në vitin 2005, pas një mbështetjeje të fuqishme të partnerëve dhe një angazhimi e përkushtimi të një grupi jo të madh në numër punonjësish.
“Ne synojmë shndërrimin e vendit në vend të zhvilluar, të zhvillimit të qëndrueshëm jeshil, nuk ka asgjë më të rëndësishme se në këtë të shmangim cdo gabim që do paguajnë më pas gjeneratat që vijnë”- tha Berisha.
Ai theksoi se qeverisja e hapur duhet të jetë një nga drejtimet kryesore të strategjisë dhe përpjekjes për vitet që vijnë. “Kjo nismë e rëndësishme e ndërmarrë vitin e kaluar nga presidentit i SHBA dhe Brazilit, duhet të jetë ndër objektivat tona”- tha ai.