Berisha: “Oferta ime është serioze, 100 prokurorë të hapin kutitë”
Pas reagimeve lidhur me miratimin e ligjit në Kuvend për ngritjen e komisionit hetimor, kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi dje se propozimi i tij është i qartë dhe serioz. Sipas Berishës, angazhimi i 100 prokurorëve për të bërë transparencë të çdo flete votimi qëndron ende dhe është në përputhje të plotë me Kushtetutën. “Nëse transparencës i themi transparencë, propozimi im për angazhimin e 100 prokurorëve me mandat të plotë për transparencë në çdo skutë fletëvotimi të procesit zgjedhor, angazhimi i buxhetit për të mbushur këtë detyrë është zgjidhja totale nëse kërkohet transparenca. Refuzimi i tyre dëshmon se ka vetëm zero fakte. Prokurori funksionon mbi bazën e fakteve konkrete”, - është shprehur kreu i qeverisë pas urimit që bëri dje në Kryegjyshatën e Bektashinjve. I pyetur se si do të funksionojë komisioni hetimor, kryeministri tha se faktet që do të zbulojë do t’ua kalojë prokurorëve. “Komisioni i jep fakte prokurorëve. Unë premtova 100 prokurorë në mënyrë që të mos këtë vonesa në proces. Imagjino nëse zoti Rama ka 100 fakte dhe 100 prokurorë fillojnë njëherazi hetimin e tyre. Pra, me një shpejtësi shumë më të madhe nga çdo mund ta bënin 15 anëtarë komisioni dhe me një kompetencë e profesionalizëm shumë më të madh, por edhe në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit që përcakton ndarjen e pushteteve, si një nga 2-3 shtyllat themelorë të sistemit demokratik; në respekt të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat nuk i lejojnë politikanët që të marrin në dorë kompetenca të pushtetit gjyqësor.
Pra unë mendoj se kjo nuk refuzohet. Uroj dhe shpresoj që ata që janë të interesuar për transparencë, ta pranojnë këtë ofertë. Oferta është më e ndershmja dhe më e sigurta për transparencë të plotë”, - është shprehur Berisha.
23 Mars 2010