E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Maxhoranca ka luajtur rol konstruktiv, opozita të pranojë ofertën e prokurorëve”



Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, pas kthimit nga SHBA-të ka komentuar dje për mediat ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet, duke e cilësuar atë si një qëndrim konstruktiv të maxhorancës. Sipas Metës, maxhoranca ka bërë të gjitha lëshimet e mundshme për opozitën për të zgjidhur krizën politike në vend. Ai tha se opozita nuk kërkon me të vërtetë transparencën e plotë të zgjedhjeve, sepse nëse do të donte një gjë të tillë, duhet t’i ishte drejtuar me kohë Gjykatës Kushtetuese, ose të pranonte konsulencën e Komisionit të Venecias, ose të pranojë ofertën më të fundit të kryeministrit Berisha, që hetimi të bëhet nga prokurorët. Zëvendëskryeministri ka komentuar edhe qëndrimin kundër të SHBA-ve për projektligjin për SHISH-in, ndërsa ka shtuar se ky draft nuk do të kalojë për miratim në seancë pa marrë konsultën e partnerëve ndërkombëtarë.
Komisioni
“Maxhoranca ka pranuar prej kohësh që t’i japë shumicën opozitës në një komision hetimor parlamentar, madje edhe drejtimin e këtij komisioni. Maxhoranca ka pranuar që për çështjen e hapjes së kutive të merret mendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë çështje Partia Socialiste t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese; madje maxhoranca ka pranuar që t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias dhe, sikurse ju e dini, këto nuk janë pranuar nga opozita gjoja e interesuar për hapjen e kutive. Po kështu, ju jeni në dijeni të iniciativës më të fundit të kryeministrit Berisha për të mbështetur Prokurorinë, në mënyrë që ajo të ketë kapacitetet e duhura njerëzore, pra me fonde, pasi këto gjëra i zgjidh vetë Prokuroria që është e pavarur nga qeveria, në mënyrë që ajo të ketë një task-force vetëm për hetimin e zgjedhjeve, sipas pretendimeve që ngre, apo mund të ngrejë Partia Socialiste”, - është shprehur Meta, ndërsa e ka cilësuar konstruktiv qëndrimin e maxhorancës për të zgjidhur krizën në vend. “Pra është e qartë se nga ana e maxhorancës janë bërë të gjitha lëshimet e duhura dhe janë krijuar të gjitha mundësitë, të cilat kanë të bëjnë me një rol konstruktiv të opozitës për të verifikuar pretendimet e saj”, - është shprehur zëvendëskryeministri. I pyetur për fillimin e protestave nga ana e opozitës dhe koston që mund të sjellë për vendin kjo situatë, ministri i Jashtëm u shpreh se PS-ja po synon të dëmtojë imazhin e vendit. “Sigurisht që e gjithë kjo politikë destruktive synon të dëmtojë sa më shumë imazhin e vendit, nuk synon të hapë kutitë. Sepse po të ketë vullnet për të hapur kutitë, është bërë e qartë që mund të ndiqet rruga përmes Prokurorisë, si institucion i pavarur, dhe që ka të gjitha përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për ta bërë këtë gjë. Në rast se duan që Parlamenti të hapë kutitë, duhet t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që ta konfirmojë këtë mundësi, madje mund t’ia kërkojnë edhe Komisionit të Venecias”, - është shprehur Meta.
SHISH
Përsa i përket projektligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili u kundërshtua ashpër nga NATO-ja dhe SHBA-të, zëvendëskryeministri Meta pohoi se ky draft nuk do të miratohet pa marrë më parë konsulencën ndërkombëtare. “Mendoj se për vetë faktin që ligji aktual është një ligj i vjetër, ndërkohë që ka ndryshime shumë të rëndësishme, që nga bërja e vendit me Kushtetutë dhe në përgjithësi në sfidat me të cilat ndeshet sot Shqipëria, por me të cilat ndeshet edhe NATO-ja, ato të terrorizmit apo edhe më gjerë, natyrisht që ka nevojë për një rishikim apo edhe për një përmirësim të tij.
Sigurisht që kjo do të bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Në radhë të parë me Bashkimin Europian, ku duam të anëtarësohemi, dhe me NATO-n, ku jemi anëtarë”, - është shprehur kreu i Diplomacisë shqiptare.

23 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›