Berisha: Operacioni për përballimin e situatës nga bora, më i madhi në histori
Kryeministri Berisha e cilëson të kaluar me sukses provën përballë të cilës natyra e vuri qeverinë e tij që në fillim të këtij muaji.
Duke folur në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha u shpreh se operacioni i ndërmarrë për tu ardhur në ndihmë banorëve të zonave të bllokuara nga dëbora ishte më i madhi në historinë e vendit.
Sipas Berishës, vendi u përball që në fillim të shkurtit me reshje bore të papara prej 27 vitesh, por situate u kalua pa humbje jetësh njerëzore, në një kohë kur në Europë u regjistruan mbi 560 viktima.
Kjo borë ishte e paparë prej 27 vitesh. Reshjet u shoqëruan me temperatura polare. Qeveria vendosi më 7 shkurt, para rënies së reshjeve të mëdha, të krijojë komitetin e emergjencës dhe në një javë në situatën e krijuar u shpall gjendja e emergjencës civile në qarqet e verilindjes dhe juglindjes së vendit. Me një shpejtësi të rrufeshme u gjendën të bllokuara 106 komuna dhe bashki me rreth 800 mijë banorë.
Në këto kushte komiteti përpunoi një plan veprimi të saktë dhe të përpiktë që synonte të shpëtonte jetët njerëzore, duke garantuar ndihmën e përshtatshme mjekësore për çdo rast urgjence. Autoritetet vendore dhe komiteti i emergjencës u angazhuan në operacionin më të gjerë në historinë e vendit.
Ky operacion bëri të mundur që të ndihmohej çdo qytetar në gjendje emergjence, në cilëndo pikë të vendit që ndodhej. U organizua ndihma mjekësore, me dhjetëra fluturime helikopterësh në rrethana nga më të vështirat. Asnjë njeri i vetëm nuk mbeti pa u transportuar drejt qendrave shëndetësore, tha ai.
Sipas kreut të qeverisë, tashmë mbi 96 për qind e territorit është jashtë gjendjes së emergjencës. Berisha tha se në Alpe ka një numër të kufizuar komunash të bllokuara, të cilat janë të mësuara me izolimin e përvitshëm nga bora. / G. Ndoja