Emigrantët, shtrenjtohen 320 % telefonatat drejt Shqipërisë
Emigrantët shqiptarë në të gjithë botën e shuajnë tashmë më shtrenjtë mallin me familjet e tyre. Duke filluar nga data 1 shkurt thirrjet telefonike të nisura nga jashtë vendit për në Shqipëri, janë shtrenjtuar 320 për qind krahasuar me tarifat që aplikoheshin para kësaj periudhë.
E gjithë kjo, ka filluar të ndodhë pas një vendimi të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për heqjen e kufizimeve mbi tarifat e terminimit të thirrjeve për kompanitë celulare si edhe telefoninë fikse. Për shkak të kompanitë celulare kanë një fuqi të ndjeshme në treg, dhe prekin interesat financiare të konsumatorëve, tarifat e tyre të terminimit përcaktoheshin deri më tani nga AKEP. Vendimi i fillimit të shkurtit ka hequr këtë detyrim duke ia lenë atyre në dorë. Tarifë terminimi është çmimi me të cilin kompania pritëse e telefonatës ia mundëson kryerjen e saj klientit të kompanisë nga nis telefonata.
Më parë, kompanitë pritëse të telefonatës nga jashtë shtetit, në rastin tonë, kompanitë celulare, aplikonin tarifa terminimi 7.75 lekë (0.05 cent euro) në minutë ndaj operatorëve nga nisej thirrja, por edhe operatorëve të tjerë që në këtë rast bënin ndërmjetësin.
Çfarë ka ndodhur tani? Me kërkesë të kompanive celulare, AKEP i është rikthyer vendimit për rregullimin e tarifave të terminimit, por kësaj radhe duke bërë të kundërtën: Ka hequr çdo limit për tarifat e terminimit duke ia lenë në dorë vetë kompanive që të përcaktojnë çmimin bazuar mbi koston/fitimin si edhe politikat që kërkon të zbatojë në treg secila prej tyre. Të dhënat tregojnë se deri më tani ka një rritje të çmimit të tarifave të terminimit në masën 3.2 herë më shumë.
Deri më tani, tarifat e terminimit kanë qenë mesatarisht 0.05 cent euro për minutë, por tashmë ato kanë shkuar në mesatarisht 0.16 cent euro për minutë. Mbi këtë çmim aplikohet kosto e shërbimit si edhe fitimi i kompanive duke përcaktuar kështu çmimin final me të cilin do ta paguajë iniciuesi i thirrjes nga jashtë.
Duke parë këto tarifa, kosto e terminimit të një minuti telefonatë nga jashtë rritet nga rreth 7.57 lekë që ishte deri më tani në, rreth 22.5 lekë pas aplikimit të tarifave të reja. Por ka edhe prej atyre kompanive, të cilat janë treguar disi arsyeshme duke vendosur tarifa terminimi 17.5 lekë/minuti për të ruajtur klientët e saj brenda Shqipërisë. Vendi ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh, rreth 1.1 milionë në të gjithë botën. Pjesa më e madhe e tyre janë të vendosur në Greqi, Itali dhe Angli. Pas vendimi të AKEP, të gjithë emigrantët do të detyrohen ta shuajnë mallin me familjarët e tyre në Shqipëri duke paguar tarifa plot 3.2 herë më shtrenjtë nga sa paguanin deri më tani.
Çfarë janë tarifat e terminimit?
Tarifa e terminimit është çmimi i shërbimit që një operator ia ofron atë një operatori tjetër. Në rastin e telefonatave nga jashtë, tarifa e terminimit i paguhet nga operatorët telefonik të shteteve nga fillon thirrja tek kompanitë shqiptare të telefonisë celulare, të cilat mundësojnë që abonenti i kompanisë së huaj të realizojë thirrjen në Shqipëri. Kompanitë e huaja i përcaktojnë tarifat për minutë ndaj abonentëve të tyre (në rastin tonë emigrantët shqiptarë që realizojnë thirrje drejtë Shqipërisë) bazuar mbi koston me të cilin kompanitë vendase ia ofrojnë shërbimin atyre.
Liberalizimi favorizon kompanitë celulare
AKEP tentoi të bënte një gjë të ngjashme duke hequr kufizimet mbi tarifat e terminimit të thirrjeve edhe në verën e vitit 2010, por në treg ekzistojnë edhe operatorë të tjerë përveç Kompanive me Fuqi të Ndjeshme në Treg (kompanitë celulare dhe Albtelekom), të cilët shërbimin e blerë nga këto të fundit ia ofrojnë kompanive të huaja (nga nisen thirrjet e emigrantëve) me çmime më konkurruese krahasuar me operatorët e mëdhenj. Një gjë e tillë filloi të devijonte trafikun e thirrjeve nga operatorët e mëdhenj drejt atyre më të vegjël (kompanitë e telefonisë nëpërmjet internetit). Duke parë këtë, kompanitë e mëdha zgjodhën që të nxjerrin jashtë lojë të vegjlit (ndërmjetësit midis tyre dhe kompanive telefonike të huaja) duke ulur në maksimum çmimet për shërbimin direkt të terminimit që ia ofronin kompanive të huaja.
Por më shumë se kjo, arsyeja kryesore se përse AKEP u tërhoq nga vendimi parë për liberalizimin e tarifave të terminimit të thirrjeve në vitin 2010 ishte lufta që nisi midis operatorëve celular në Shqipëri të cilët për shkak të konkurrencës u detyruan të ulin në maksimum çmimet por edhe duke devijuar trafikun e thirrjeve në një masë të madhe tek njeri-tjetri. Një gjë e tillë u uli fitimet kompanive. Gjasat janë që tani ato të jenë marrë vesh për të mos i hyrë në pjesë njëra-tjetrës duke mbajtur çmimet në një kuotë të caktuar.
Si rritet çmimi
Për të zhvilluar një thirrje telefonike duhen minimumi dy operator, ai nga niset thirrja dhe pritësi. Kur bëhet fjalë për telefonatat e emigrantëve drejt Shqipërisë, në lojë mund të hyjnë edhe operatorë të tjerë të cilët mundësojnë shërbimet ndërmjetëse. Një kompani telefonie italiane përshembull mund të preferojë që të mos zgjedhë një kompani celulare shqiptare për të dërguar thirrjet që bën emigranti nga italia por një kompani më të vogël, e cila ofron një çmim më të ulët. Kjo e fundit më pas ia kalon thirrjen kompanisë celulare. Në këtë mënyrë bëhen tre operatorë që mundësojnë kryerjen e një thirrje. Secili prej tyre do të aplikojë edhe fitimin si edhe kostot e tjera mbi çmim përveç kostos së terminimit. Sa më i lartë çmimi i terminimit, aq më i lartë çmimi që kompania ia ofron shërbimin klientit të saj.
