Nishani i dorëzon rekomandimet e qeverisë organit të akuzës në vend
TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme znj.Ina Rama në prani të Ministrit të Drejtësisë z.Bujar Nishani brenda ambienteve të institucionit të akuzës, i komunikoi të gjithë drejtuesve të Prokurorive në rrethe rekomandimet e Këshillit të Ministrave për vitin 2010 në luftën kundër kriminalitetit në vend.
Lajmi konfirmohet nga zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, që saktësuan se takimi zgjati më shumë se një orë. Këto rekomandime, sipas njoftimi, konsistojnë në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimit ndërkufitar, trafiqeve të të gjitha llojeve, pastrimit të parave dhe të sigurimit të kufijve gjatë vitit 2010.
"Veprat penale kundër korrupsionit duhet të jenë prioritet për organet e prokurorisë duke e konsideruar korrupsionin si gangrenë dhe asfiksues për funksionimin e shtetit dhe të ekonomisë.
Gjithashtu rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit mbetet forcimi i disiplinës fiskale, zbatimi i plotë i ligjit të cilat do të sjellin efekte në reduktimin e ndjeshëm të asaj pjese të ekonomisë informale që është e zezë dhe kriminale, gjë e cila nuk mund të realizohet pa angazhimin e prokurorisë"-thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zyra e shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme.
Kjo luftë ndaj korrupsionit dhe trafiqeve të ndryshme, sipas njoftimit, nuk mund të arrihet pa rivendosur ritmin e përshpejtuar të punës në gjithë administratën qendrore, të ekzekutivit dhe pa bashkëpunimin ligjor të çdo institucioni të pavarur dhe ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit me institucionet e specializuara ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
"Duhet kthyer në realitet dhe jo më slogan parimi drejtësi e organizuar kundër krimit të organizuar, nëpërmjet forcimit dhe bashkëpunimit dhe bashkëveprimit midis institucioneve në funksion të parandalimit të tij në momentin dhe kohën e duhur sa nuk është vonë pa sjellë pasoja të rënda për individin, shtetin dhe shoqërinë dhe në funksion të qëllimit dhe synimit tonë për integrim"-thuhet ndër të tjera në rekomandimin e qeverisë.
Gjithashtu, një rol të rëndësishëm, sipas njoftimit zyrtarë në rekomandimin e Këshillit të Ministrave ka qenë edhe lufta kundër krimit që cenon jetën dhe shëndetin e personit në Shqipëri. "Lufta kundër krimit që cenon jetën dhe shëndetin e personit, ka përbërë vazhdimisht një shqetësim serioz për shoqërinë.
Në këtë kuadër institucioni i prokurorisë duhet që të ndjekë një politikë të ashpër procedimi dhe gjykimi për të ndikuar në zbutjen dhe parandalimin e këtij fenomeni shumë negativ dhe me pasoja të rënda jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre por dhe për sigurinë publike dhe shoqërinë në tërësi"-thuhet në rekomandimin e Këshillit të Ministrave të dorëzuar nga Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani.
jithashtu, mësohet se gjatë fjalës së saj ndër të tjera kryeprokurorja Rama pati edhe disa kritika në drejtim të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me kontrollin e kryer për çështje të veçanta në disa prokurori të rretheve, kritika këto që mbetën pa përgjigje nga Ministri Nishani i cili nuk preferoi të replikonte.
Në fund të takimit kryeprokurorja Rama shprehu angazhimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të përmbushur detyrimet ligjore dhe prioritet e paraqitura nga qeveria, në luftë kundër kriminalitetit, duke rritur efektivitetin në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në emër të shtetit.