Berisha: Opozita e Ramës, rrjedhë e fundamentalizmit totalitar të Partisë Komuniste

Shefi i ekzekutivit, nga kalaja e lashtë e Petrelës, shembull i mbrojtjes së fortë ndaj sulmeve të ushtrisë otomane gjatë shekullit të 15-të, i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga nihilizmi dhe të zbresë në terren për të prekur nga afër ndryshimin e Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar edhe njëherë publikisht opozitës shqiptare, të dalë në terren dhe të prekë ndryshimin e Shqipërisë. gjatë një takimi të zhvilluar me banorë të komunës Petrelë në Tiranë, shefi i ekzekutivit shqiptar iu referua investimeve të mëdha të qeverisë, duke i cilësuar ato si baza për arritjet e vendit.
Përmes një fjalimi në kalanë e Petrelës, Berisha theksoi se investimet në infrastrukturë janë rritur ashtu si janë shumëfishuar potencialet ekonomike të Shqipërisë, por në vështrim të kundër qëndron roli i opozitës. Berisha tha se qeveria shqiptare ka ndërtuar 6 mijë kilometra rrugë në gjithë vendin. Ai theksoi përsëri se revista prestigjoze “Neësëeek” e cilësoi Shqipërinë një prej 100 vendeve ku jetohet më mirë.
“Në këtë vend u shumëfishuan potencialet ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Reformat e thella bënë të mundur shumëfishimin e investimeve. Këto 5 vite në epiqendër të investimeve vendosëm sistemin arsimor”, theksoi kryeministri. Sipas tij, sistemi shëndetësor njohu reforma të thella.
Duke iu drejtuar opozitës, Berisha tha se duhet të shohë nga afër Shqipërinë që po ndryshon. Në këtë sens, Berisha tha se veprimtaria e opozitës dhe roli destruktiv i saj, i ka rrënjët te fundamentalizmi totalitar famëkeq të Partisë Komuniste, nga lindi dhe u frymëzua Partia Socialiste në vitin 1991.
“Ftoni Ramën dhe jepini një kafe këtu në kafenetë tuaja që të prekë nga afër realitetin. Të dalin opozitarët nga kullat e Fidelit e të shohin Shqipërinë që ndryshon çdo ditë. Ftoj opozitën të heqë dorë nga nihilizmi, i cili i ka rrënjët e veta në fundamentalizmin totalitar famëkeq të Partisë Komuniste, nga lindi dhe u frymëzua Partia Socialiste në vitin 1991”- u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë garantoi banorët e komunës Petrelë për vëmendje të veçantë nga qeveria.
“Qeveria ka në vëmendje qytetarët dhe pikërisht përmes politikave sociale u arrit të dyfishohej ndihma ekonomike për familjet në nevojë, ndërsa është shumëfishuar nënvizoi ai edhe numri i studentëve në Universitet shqiptare këto 5 vjet. Do mbështesim projektet për Petrelën, do mbështesim Kryetarin e Komunës, në të gjitha projektet, që ta bëjnë Petrelën, një vend të vizituar nga turistë nga mbarë bota”, tha kryeministri Berisha.