E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i rrugëve, Basha: Forca e ligjit të veprojë, ndëshkim të ashpër për këdo

Ministri i Brendshëm kërkon masa të ashpra ligjore ndaj personave përgjegjës dhe frymëzues pavarësisht pozitës së tyre shoqërore apo politike


Ministri i Brendshëm Lulzim Basha gjatë një takimi të zhvilluar me krerët më të lartë të policisë ka diskutuar lidhur me problemin e infrastrukturës së rrugëve. Ministri i Brendshëm, kërkoi nga forcat e rendit që të mos lejojnë me asnjë kusht bllokimin e rrugëve kryesore. Sipas tij, të gjitha këto akte duhet të dënohen maksimalisht. “Përqendrimi juaj gjatë sezonit duhet të reflektojë në mënyrë të plotë shpërndarjen e problematikës sipas situatës që keni në terren. Kemi pjesë të akseve rrugore të cilat kanë një ngarkesë shumë të madhe. Asnjë pjesë e intenirarit të aksit rrugor të Qarkut të Vlorës nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes. Brenda 2 apo 3 javësh do ngrihet këtu një grup Task Force për autostradat dhe bashkëpunimi me ta duhet të jetë në mënyrë të tillë që ju të maksimalizoni burimet njerëzore dhe asnjë pjesë e intenirarit rrugor të mos mbetet e pambuluar përfshirë këtu edhe territorin e Bashkisë së Vlorës. Të merren masa të ashpra ndëshkimore ndaj kujtdo që ndërmerr një vepër kriminale siç është bllokimi i një aksi nacional, apo një rruge publike. Në bashkëpunim me organet e Policisë së Shtetit në Tiranë ju do të merrni të gjitha masat që në çdo rast me forcën e ligjit, përgjegjësit të vihen para ligjit”- u shpreh ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Ai vuri në dukje se forcat policore duhet të godasin çdo person përgjegjës dhe frymëzues pavarësisht nga pozita shoqërore dhe politike. “Nuk do të tolerohet asnjë bllokim i rrugëve publike dhe kjo çeshtje duhet trajtuar me prioritet. Forcat e antiterrorit duhet të godasin personat përgjegjës dhe personat frymëzues pavarësisht pozitës së tyre shoqërore apo politike”- deklaroi më tej, Basha. Reagimi i ministrit të Brendshëm vjen në një kohë kur bllokimi i rrugëve në qarkun e Vlorës është kthyer në mjetin kryesor të kundërvënies ndaj ligjit. Rasti më flagrant ishte ai i 10 ditëve më parë ku sipasojë e një aksidenti rrugor në zonën bregdetare të Himarë, ku ngeli i vdekur shtetasi Aristotel Gumi, të afërm të tij dhe qytetarë të tjerë të shtyrë nga drejtuesit e njësisë vendore e kthyen atë në një çështje etnike, dhe bllokuan për 13 orë aksin nacional Vlorë-Sarandë. Apeli i ministrit Basha është për ndëshkim të rreptë ndaj një veprimi të tepruar kriminal si dhe mos anashkalimin e përgjegjësive ligjore edhe për personat me profil të lartë shoqëror dhe politik. Gjithashtu, ministri i Brendshëm, diskutoi me përfaqësuesit e lartë të Policisë së Qarkut të Vlorës, edhe për luftën e bërë kundrejt kultivimit të lëndëve narkotike, por edhe trafikimit të qenieve njerëzore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›