Jep dorëheqjen për arsye shëndetësore, ambasadori i parë i Kosovës në Shqipëri, Gazmend Pula
Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula ka dhënë dje dorëheqjen, për arsye shëndetësore. Vetë diplomati ka komunikuar se largimi i tij lidhet me përkeqësimin e vazhdueshëm të shëndetit. Dorëheqjen e ambasadorit Pula e ka pranuar edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Gazmend Pula mori postin e ambasadorit të Kosovës në Tiranë, në fund të vitit të shkuar. I lindur në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë ai njihet si një intelektual dhe mbrojtës it ë drejtave të njeriut. Gazmend Pula themeloi edhe Komitetin e Helsinkit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, dhe në krye të tij ka patur një aktivitet të ngjeshur politik dhe qytetar për të mbrojtur liritë e popullit të Kosovës. Pikërisht për punën e tij të devotshme në mbrojtje të lirive ai është vlerësuar me çmimin për Demokraci dhe atë për Kontribut Qytetar nga Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian në vitin 1998. Gazmend Pula është autor i dy librave për inxhinierinë elektrike, degë në të cilën ai është laureuar. Gazmend Pula i martuar dhe baba i dy fëmijëve, mban titullin e Profesorit në Universitetin e Prishtinës.