E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita kërcënon investitorët

Kështu u shpreh të mërkurën kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, ku kryefjala e saj ishte energjia e rinovueshme.  

Duke marrë shkas nga vendimi i sotëm i qeverisë që përcakton autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion të pesë hidrocentraleve, kryeministri tha se deri tani numërohen rreth 330 hidrocentrale për të cilat janë firmosur kontratat, kanë filluar ndërtimet ose janë në proces marrje leje.

"Nga 443 hidrocentrale të vogla, të mesme e të mëdha që parashikohen të ndërtohen në mbarë territorin e vendit, është dëshmuar interes i madh nga biznesi për 331 prej tyre dhe ky numër vazhdon në rritje", theksoi kryeministri. Ai informoi se ndër këto hidrocentrale për të cilat ministria ka firmosur mbi 115 kontrata ka përfunduar ndërtimi i 72 prej tyre, me një fuqi prej 125 megavat", tha kreu i qeverisë. 

Sipas tij në shtator këtyre projekteve do t'u bashkëngjitet dhe projekti më i madh që po ndërtohet deri tani, që është hidrocentrali i Ashtës, i cili në llojin e tij përbën një risi botërore, pasi ka numrin më të madh të turbinave të përdorura ndonjëherë në këto kushte. "Këto vepra, që fuqizojnë çdo ditë e më shumë sistemin tonë energjetik kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi janë sipërmarrje të fuqishme punësimi, për mijëra punëtorë, inxhinierë e teknikë të fushës. Për ne punësimi mbetet përparësi e të gjitha përparësive, por punësimi i shpërndarë falë këtyre veprave që ndërtohen, është edhe më i mirëpritur, pasi në tërësinë e tyre ato janë të vendosura në zonën malore, verilindore e juglindore të vendit, zona që kanë problemet më të mëdha me të ardhurat dhe punësimin", theksoi Berisha.

Kryeministri u shpreh se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve, krahas vendeve të punës, rrit ndjeshëm të ardhurat në komunitetet lokale. "Por, efekti dhe rezultati i tyre më i qëndrueshëm e afatgjatë është se ato garantojnë shqiptarët, që pavarësisht nga çmimet gjithnjë në rritje të energjisë në botë, Shqipëria me shtimin e këtyre veprave shkëputet në mënyrë përfundimtare nga ndikimi konjuktural i çmimeve dhe shqiptarët do të kenë mundësi të marrin energji me çmim tjetër", tha ai. 

Berisha akuzoi opozitën se po kërcënon investitorët, por shtoi se këto kërcënime nuk janë marrë për bazë. "Deklaratat ziliqare dhe keqdashëse që kërcënojnë investitorët se 'nuk do i njohim këto marrëveshje, se po jepen ujërat me koncensione etj', janë shpifje dhe trillime të pandershme. E vërteta është se absurditeti i tyre, fatmirësisht, nuk është përfillur aspak nga investitorët vendas dhe të huaj. Ju garantoj se me këto që bëjnë largohen me shpejtësi nga horizonti i pushtetit. Shqipërinë dixhitale nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale, por që shqiptarët të njohin shpejtësitë më të mëdha. Rrjetet sociale nuk duhet të deformojnë qëllimet e tyre”, tha kryeministri. /Start/

                                                                                             2012-08-22 13:36
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›