E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holtkemeper BE pret miratimin e ligjit per imunitetin

Shqipëria ka bërë progres me miratimin e disa ligjeve të rëndësishme në parlament. Por BE-ja pret që sa më shpejt të kalojnë dhe reforma të tjera të rëndësishme si kufizimi i imunitetit e reforma në drejtësi. Kështu ka deklaruar nga Gjirokastra ambasadorja gjermane Karola Muller Holtkemper në pergjigje te pyetjes së gazetarëve lidhur me hapat e vendit tonë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat. “Shqiptarët duhet t'i bëjnë reformat për veten e tyre dhe jo për të huajt’ -është shprehur Holtkemper.

“Në periudhën e fundit Shqipëria ka bërë progres. Kaloi kodi i ri elektoral dhe aktualisht qeveria e opozita po diskutojnë rreth kufizimit të imunitetit, për reformimin e institucioneve dhe sistemit të drejtësisë. Është folur për më shumë reforma dhe ne përfundimisht shpresojmë që kjo gjë do të materializohet. Për ne, por në radhë të parë për shqiptarët është shumë i rëndësishëm sistemi ligjor . Kryerja e reformave në këtë sistem do të sjellë mjaft lehtësi për qytetarët shqiptarë dhe për bizneset. Por përshtypja ime është që shqiptarët mendojnë më shumë për të huajt. Apeli im është na harroni ne dhe mendoni më shumë për veten tuaj; krijoni një shoqëri me gjithëpërfshirëse, ku të ndihet ndikimi i institucioneve të pavarura dhe biznesit dhe automatikisht do të merrni statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian”.
Gjatë vizitës në Gjirokastër ambasadorja u takua edhe me kreun e bashkisë Flamur Bime, ku është njohur nga afër me investimet që ka bërë qeveria gjermane në qytetin e gurtë siç është ai i prej 5 milionë euro për ujësjellësin.
Ambasadorja gjermane ka qenë gjithashtu e pranishme në përurimin e një investimi të qeverisë gjermane në shumën e 12 mijë eurove në shtëpinë e të moshuarve në qytetin e Gjirokastrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›