E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Opozita ofron rrugen e vetmise se madhe

Kryeministri Berisha ishte sot pasdite në qytetin e Fierit, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për kryetar bashkie në këtë qytet, zotin Ilir Bele.

Kryeministri Berisha vlerësoi figurën e zotit Ilir Vele, duke u shprehur se me Ilir Belen dhe me kryetarët e tjerë të qeverive vendore të këtij rrethi, në katër vitet që vijnë qeveria do të ndërtojë infrastrukturën më moderne në çdo rrugë, në çdo rrugicë, në çdo fshat, në çdo komunë të Fierit. Qeveria është vendosur që në 4 vitet që vijnë të investojë 4 herë më shumë se deri më sot për rrugë të asfaltuara, shkolla moderne, kopshte për fëmijët, shërbime cilësore. Sikundër, fermerët e Fierit do të kenë mbështetje më të madhe. “I garantoj fermerët e Fierit se do të subvencionojmë 4-fishin e sipërfaqeve të subvencionuara deri më sot, se do të financojmë, kreditojmë përpunimin e prodhimeve të tyre bujqësore, do të financojmë ndërtimin e tregjeve më të mëdha”, tha Kryeministri.

Duke u ndalur në projektet e realizuara në katër vitet e kaluara, Kryeministri tha se në këtë rreth janë investuar mbi 400 milionë euro, janë ndërtuar rreth 260 km rrugë, ndërsa në rang qarku rreth 500 km rrugë, 27 ujësjellës, kurse në rang qarku rreth 52 ujësjellës, janë ndërtuar rreth 67 shkolla në rang qarku. Investimet kanë qenë shumë herë më të mëdha se sa në 8 vitet e qeverisjes socialiste.
“Por çfarë bëjnë këta shokët e rrugës së vetmisë. Këta shokët e rrugës së vetmisë i kthejnë këto fonde në rroga. Ndaj dhe ju ftoj të votoni alternativën tuaj që do t’i japë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha problemeve të këtij qyteti.

Ju garantoj se brenda 3 viteve të mandatit të zotit Ilir Bele nuk do të ketë rrugë e rrugicë të pa asfaltuar në këtë qytet, ju garantoj se Fieri do të ketë jo një, por disa dalje në det, për të qenë një nga polet më të rëndësishme turistike në Shqipëri, ju garantoj se ujërat e lumit Gjanicë do të jenë ujëra në të cilat nuk do të mund të derdhet asgjë e ndotur nga i tërë sistemi i naftës dhe nga sisteme të tjera. I garantoj fermerët e Fierit se do të subvencionojmë 4-fishin e sipërfaqeve të subvencionuara deri më sot, se do të financojmë, kreditojmë përpunimin e prodhimeve të tyre bujqësore, do të financojmë ndërtimin e tregjeve më të mëdha.

Por nuk duhet të harrojmë se një nga arritjet më të mëdha të jetës tonë ka qenë dhe mbetet Shqipëria turistike. Ne ia dolëm me mundin, djersën, investimet tona, mikpritjen tonë, të bëhemi të famshëm në mbarë botën për turizmin, të përcaktohemi si destinacioni i parë turistik i botës, “Shqipëria e bukura e Dheut”. Por kjo është gjithashtu një mbështetje e jashtëzakonshme për fermerët e Fierit, fermerët shqiptarë, sepse tregu për prodhimet e tyre dyfishohet.

Kjo pra është alternative jonë, një alternativë që ka në qendër familjen , fëmijët, vizionin, përkushtimin , mirëqenien tij. Ka një alternativë tjetër, alternativa e vetmisë apo e rrugës së vetme. Unë dua t’u them këtyre shokëve se shqiptarët janë qytetarë të lirë dhe njeriu i lirë nuk pranon kurrë rrugën e vetme. “Rruga e vetme” për njeriun e lirë është vetëm mashtrimi, vetëm mashtrimi dhe vetëm mashtrimi. Në liri çdo njeri ka rrugën e tij, në liri çdo njeri ndërton rrugën dhe jetën e tij, mbi bazën e kapaciteteve, dëshirave, imagjinatës dhe projekteve të tij. Ne se bashku bashkohemi që të gjithë në interesat tona, në vizionin tonë, bashkohemi në përpjekjen më të madhe për integrimin në Evropë, si Fieri evropian, Shqipëria evropiane.

Kreu i PS në këtë fushatë, çfarë po bën!. Vlonjatëve u thotë se nuk ka qenë Shpëtim Gjika kryetar bashkie por Berisha, këtu në Fier do t’ju thotë se nuk ka qenë Baftjar Zeqo Kryetar i Bashkisë suaj, që i ka lënë rrugicat siç kanë qenë 200 vjet më parë, por është Berisha. Edhe këta shokë e zotërinj flasin për një model, por cili është modeli i tyre, modeli i qindra kilometrave rrugë e rrugica të qyteteve tona të pa asfaltuara, modeli i taksave stratosferike? Cili është ky model, modeli i katërfishimit të shpenzimeve për personelin në kurriz të taksapaguesve?.

Kryeministri tha se alternativa e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” ka në qendër familjen, fëmijët, vizionin, përkushtimin, mirëqenien e qytetarit. Ai ftoi qytetarët të votojnë këtë alternativë që do t’i japë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha problemeve të këtij qyteti. “Ne garantojmë të vazhdojmë punën për të zgjidhur problemet tuaja, infrastrukturë, shkollim, shëndetësi, pensione, rroga, integrim”, tha Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›