E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Opozita po bllokon marrjen e statusit kandidat

Kryeministri, Sali Berisha, tha sot në një intervistë për "Zërin e Amerikës" nga Nju Jorku, se maxhoranca mirëpret kërkesën e opozitës për të rishqyrtuar në komisionet parlamentare ligjet që kërkojnë 3/5 e votave dhe uroi që kjo të mos jetë një taktikë e re bllokuese nga ana e opozitës, gjë e cila sipas tij, "do të provohet lehtë gjatë javëve që vijnë".

Duke komentuar qëndrimin e opozitës sot në Kuvend, e cila kërkoi shtyrjen e votimit për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave dhe rishqyrtimin e tyre në komisionet parlamentare, Berisha tha se, kjo situatë është krijuar nga qëndrimet e mëparshme bllokuese të opozitës.
"Ne mirëpresim propozimin e opozitës për të nisur sa më shpejt punën për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore. Ne mirëpresim kërkesën e opozitës, nëse ajo nuk ka synime bllokuese, për të rishqyrtuar në komisionet parlamentare ligjet e dërguara nga qeveria. Është e drejtë e opozitës të kërkojë rishqyrtim së bashku të këtyre ligjeve në komisionet parlamentare për të paraqitur amendamente për to, por ne urojmë që kjo të mos jetë një taktikë e re bllokuese, gjë e cila do të provohet lehtë gjatë javëve që vijnë", tha Berisha.

I pyetur mbi pritshmëritë e Shqipërisë për vendimin që pritet të marrë Brukseli lidhur me statusin e vendit kandidat në BE, Kryeministri Berisha tha se "Brukseli ka bërë punën e tij, por bllokimi ka qenë në Tiranë dhe sërish është në Tiranë".
"Nëse është pritur deri në ditën e fundit për të mos votuar ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, të domosdoshëm për reformat e ndryshme, kjo ka patur vetëm një qëllim, të bllokojë këtë proces. Nëse kërkohet pas të gjitha afateve të nisë puna për refomën zgjedhore, punë e cila mund të ishte nisur edhe dy vite më parë, natyrisht kjo nuk është më një çështje e Brukselit, por është çështje e Tiranës, është një çështje e atyre që kanë zgjedhur bllokimin e një procesi, i cili kërkon disa ligje me 3/5 e votave", tha Berisha.

Sipas tij "opozita shqiptare është bërë e njohur me qëndrimet e saj bllokuese edhe për vizat, por fatmirësisht për vizat nuk kishte ndonjë kërkesë për ligjet me 3/5 e votave".

Ai ftoi opozitën të dëshmojë vullnet të hekurt për të votuar ligje që kërkojnë 3/5 e votave duke mos bllokuar procesin e integrimit, për të ndërmarrë reformën zgjedhore dhe adresuar të 52 rekomandimet e OSBE-ODIHR-it në zgjedhjet e 2009 dhe 2011.

Kryeministri siguroi se nga ana e saj, "qeveria i ka plotësuar dhe po i plotëson kërkesat e saj, për ato ligje që nuk janë me 3/5 e votave.
"Opozita ka përdorur pushtetin e dhënë nga qytetarët, jo për të votuar, por për të bllokuar. Uroj dhe shpresoj që të kenë nxjerrë mësimet e duhura nga politikat bllokuese, sepse shqiptarët i dhanë përgjigjen plebishitare në 8 maj asaj politike", vijoi Berisha.
Ai shprehu besimin se reforma zgjedhore i ka të gjitha mundësitë të kryhet në kohën më optimale, tani që forcat politike kanë një program pune që do të bazohet i tëri në 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR-t.

Kreu i Qeverisë shqiptare i'u përgjigj pyetjes se çfarë qëndrimi do të mbajë Shqipëria për njohjen e Palestinës si shtet nga Kombet e Bashkuara, një çështje kryesore kjo e disktuar gjatë sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.

"Kjo është një nga çështjet më themelore të këtij sesioni dhe Shqipëria, ashtu sikurse shumica e vendeve të botës janë në favor të një shteti të pavarur palestinez, por kjo përbën një proces ndër më të vështirët dhe më seriozët, një dialog intensiv dhe të suksesshëm. Ne mendojmë dhe besojmë se shteti i pavarur palestinez është një e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve palestinez, por siç theksoi në fjalën e tij, Presidenti, Barack Obama, kjo nuk mund të realizohet ndëpërmjet shmangieve apo qarqeve të shkurtra dhe qëndrimi ynë bazohet në këtë koncept", tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›