E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Opozita po kalon nga vetmia ne normalitet e ftoj per reformen zgjedhore

Kryeministri Sali Berisha ka folur sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, duke përshëndetur së pari deputet e Partisë Demokratike, e më pas i është referuar ecurisë së reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, falë së cilave është rritur ndjeshëm ekonomia dhe është luftuar korrupsioni.

Duke iu referuar vendimit të Partisë Socialiste për tu rikthyer në Parlament, kreu i qeverisë ka vlerësuar këtë vendim dhe deklaroi se “Opozita po kalon nga vetmia në normalitet”.

Kreu i qeverisë theksi se Partia Demokratike ka luftuar dhe mundur korrupsionin. Kryeministri ka rikujtuar se opozita ka refuzuar ligje shumë të rëndësishme për vendin ndaj uroi që opozita të jetë tashme angazhuar për votimin e tyre në këtë sesion parlamentar.

Sipas tij opozita ka penguar reforma që dëmtuan vendin. “Uroj që tani opozita të marrë përgjegjësitë dhe të angazhohet në reformën zgjedhore. Jemi të gatshëm në respekt të plotë të ligjeve dhe kushtetutës, të konsiderojmë me respektin më të madh, angazhimin e saj duke bërë gjithçka për një respekt rigoroz të çdo hapësire që i takon opozitës në një vend të lirë. Uroj që pakica të heqë dorë përfundimisht nga ideja se ajo mund t`i imponohet shumicës jashtë ligjit, jashtë kushtetutës”, tha kryeministri.

Kryeministri Berisha ka ftuar opozitën të punojë bashkë me mazhorancës për plotësimin e 12 rekomandimeve të BE-së.
Ai tha se rruga për në BE nuk është e thjeshtë, por është e mundur.

“Do të bëjmë gjithçka të plotësojmë çdo gjë që është në dorë të kësaj mazhorancë, për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në BE. Brukseli është një “kopësht” me 27 dyer, me Kroacinë bëhen 28, kjo kërkon të trokasësh në çdo derë, kërkon të hapen të gjitha këto dyer, nuk është proces i thjeshtë, por është plotësisht i mundur. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka të përmbushim detyrimet tona para shqiptarëve, para partnerëve evropian. Ky proces të ecë dhe ky vizion të qëndrojë vizion dominues”, theksoi Berisha.

Në lidhje me reformat në vend, Berisha theksoi se janë një seri reformash që do mund të ndërmerren së bashku. Ai deklaroi në këtë mbledhje se janë bllokuar një seri reformash politike për integrimin, vetëm e vetëm që vendi të dëmtohej. Duke u ndalur tek reforma zgjedhore, kreu i qeverisë deklaroi se ligji aktual është bazë për zgjedhjet demokratike, por sipas tij kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësim.

Kreu i ekzekutivit garantoi opozitën se maxhoranca është tërësisht e gatshme që secilin nga ato rekomandime, bashkërisht t`i shndërrojë në ligje të lidhura me to.

“T`i adresojmë në interesin më të mirë të Kodit Elektoral, që është kodi më konsensual në historinë e vendit. Opozita, uroj në interesin e saj, të angazhohet në këtë proces, të ftojmë së bashku Komisionin e Venecias dhe OSBE/ODIHR, të cilët kanë gatishmëri për të ndihmuar parlamentin, sikundër ftoj, opozitën të përfillë realitetin”, nënvizoi ndër të tjera ai. Gjithashtu, Berisha u shpreh se nuk duhet harruar se në këtë vend, janë edhe shumë parti të tjera që të marra së bashku bëjnë sa një parti kryesore, të cilat u përjashtuan nga procesi zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›