E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur ke një urrejtje të shfrenuar ndaj medias

Në krah të një personi, gjatë presidencës së të cilit janë vrarë tetë gazetarë dhe janë zhdukur disa aktivistë të opozitës, Sali Berisha deklaroi se kabllogramet e ambasadës amerikane janë pasqyrë e shtypit të përditshëm. Presidentit të Hondurasit, i cili më shumë kishte mbërritur në Shqipëri për të vizituar zyrat e një kompanie private të Familjes Berisha, nuk do i ketë bërë përshtypje kjo deklaratë e kryeministrit. Nënqeshja e tij gjatë këtij komenti lë të kuptosh se ato që shkruan shtypi janë fjalë që i merr era. Zor se gjendet në kontinent një njeri me një urrejtje të tillë ndaj medias dhe opozitës. Ai sigurisht e di shumë mirë se amerikanët besojnë tek fjalët e medias, sikundër e di edhe që raportimi i tyre është më shumë se fjalët e medias. Por ndryshe nga ata, ai po bën luftën më të madhe e më të ndyrë në historinë e Shqipërisë që e vërteta të mos dalë kurrë në dritë. Në këtë vend të vërtetën e luftojnë të gjithë. Dëgjojeni Olldashin që deklaron me injorancën e tij se duhet të vërtetojmë se kabllogramët janë shkruar nga Uidhers, në një kohë që vetë SHBA i pranon si të vërteta ato. Të paktën Berisha nuk zbret tek injoranca e Olldashit, por përpjekja për të bërë këtë vend një pisllëk ku nuk ka të vërteta, ku të gjithë janë të ndyrë e hajdutë është më e rënda. Pasi ka pushtuar çdo media të shkruar të këtij vendi, ai e di mirë se ka vetëm një media që i ka thënë këto të vërteta. Ajo është makthi për të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›