E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi kishte frikë nga reagimi i Berishës për Lustracionin

Në një prej kabllogrameve të ambasadës amerikane në Tiranë flitet edhe për frikën e presidentit Topi nga sulmet e Berishës, në rast se hidhte poshtë ligjin për Lustracionin.

Ai i ka thënë ambasadës amerikane se aktivistët e PD-së do të protestonin dhe do të hidhnin gurë para zyrës së tij, në rast se vendoste veton ndaj ligjit.

Topi i tha Ambasadës se debati për ligjin e lustracionit e ka ekspozuar shumë keq politikisht. Topi tha se PD do ta sulmojë egërsisht në rast se vendos veton kundër ligjit të lustracionit duke pretenduar se ai ka marrë informacione se aktivistë të PD-së do të nxirren në demonstratë kundër tij dhe do të godasin presidencën me gurë. Topi pretendon se edhe pse ka shumë aleatë brenda PD-së në parlament, asnjë nuk do të votojë pro vetos së tij në rast se vendos të bllokojë ligjin. Ai tha se në të vërtetë deputetët e PD-së do të ndjekin kryeministrin Berisha dhe do të kundërshtojnë Topin sepse kanë frikë se ndryshe Berisha do t’i lërë jashtë listave zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Topi shprehu frikën se qëndrimi i tij kundër ligjit të lustracionit do t’i kushtojë atij mbështetjen e shtresës kryesore politike- njerëzve të përndjekur nga regjimi komunist. Topi tha në mënyrë të përsëritur se në rast se vendos veton kundër ligjit, PD do të nisë një sulm ballor kundër tij që do të përfshijë edhe një fushatë diskredituese për etiketimin e tij si mbrojtës i ish-komunistëve, thuhet në kabllogramin e ambasadës amerikane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›