Berisha: Opozita të kompletojë reformën zgjedhore

Kryeministri , Sali Berisha ka ftuar opozitën që të kompletojnë në afatin kohor më të shpejtë reformën zgjedhore, ndërsa është ndalur gjatë në rekomandimin ODIHR për numërimin elektronik si dhe në pikën për hapjen ne materialeve zgjedhore.
"Mendoj se përfaqësuesit në komisionin e reformës zgjedhore kanë bërë një punë shumë të mirë. Nga një klimë do të thosha mosbesimi ky komision ka funksionuar me përgjegjësinë dhe seriozitetin më të madh dhe përfaqësuesit e opozitës kanë konstatuar se ne i jemi përmbajtur premtimit tonë" theksoi Berisha.
Ai ka theksuar se mazhoranca i është përmbajtur marrëveshjes së arritur me opozitën ndërsa shtoi se numërimi elektronik kundërshtohet nga ODHIR-i.
“Në fillim ata kërkuan që të kishin inisiativën dhe mendonin se mazhoranca me propozimet e veta do të përpiqej të tërhiqte nga vetja e saj por ne faktuam që kjo nuk është e vërtetë. Ne vlerësuam propozimet e opozitës. Ka një moment ku nuk mund të ketë diskutime dhe kjo është rekomandimi i ODIHR-it. Ky rekomandim lidhur me procedurat elektorinike nuk vjen se përfaqësuesit e këtij organi nuk janë të njohur me moshën dixhitale, përkundrazi ata janë më të njohur përsa i përket zgjedhjeve dhe dixhitalizimit. Mendoj se rekomandimi i tyre është interesi i parë më i madh i opozitës sepse nëse opozita do siguri në zgjedhje ajo nuk mund të vrapojë pas opsioneve të cilat nuk japin sigurinë e plotë, nuk janë të testuara dhe ODIHR-i kërkon që të bëhet një studim pilot. Kjo është në insteres të opozitës dhe shqiptarëve në vend. Numërimi elektronik është një realitet me probleme të pamohueshme që në rastin e fundit u karakterizua me bllokimin e makinerive dhe u nga ndërprerja e energjisë elektrike. Unë mendoj që në zbatim të këtyre rekomandimeve ne të plotësojmë kodin” theksoi Berisha.
Kërkesën tjetër të opozitës për hapjen e materialeve zgjedhore me vendim të dy përfaqësuesve në KQZ, Berisha e quajti kërcënimin më të madh që mund t`i bëhet procesit zgjedhor.
“Kërkojnë një vendim që të merret me dy vota, që do të thotë për të futur zgjedhjet në një proces të pafund. Po ka të drejtë çdo material duhet të hapet, por kjo duhet të jetë gjykata. Ne jemi dakord. Por nëse një vendim i tillë u jepet dy përfaqësuesve partiak, zgjedhjet nuk janë më të qytetarëve.”- tha kreu i qeverisë.
Lidhur me ndryshimin e rregullores se Kuvendi, kryeministri u shpreh se është bërë çdo ndryshim që vjen nga rregullorja e parlamentit evropian. Berisha shtoi se bllokimi nuk është ajo për të cilën kanë nevojë shqiptarët, sipas tij, s`duhen përdorur kërkesat që nuk ekzistojnë në asnjë Kushtetutë tjetër.