E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Opozita të pranojë sugjerimet e ndërkombëtarëve, ekonomia nuk po dëmtohet nga zgjatja e ngërçit”

Kryeministri Sali Berisha shprehet se zgjidhja e vetme e ngërçit politik në vend, është aprovimi i sugjerimeve të ndërkombëtarëve nga ana e palës opozitare. Përmes një konference për shtyp menjëherë pas kthimit nga Zagrebi, ku mori pjesë në punimet e 19-a vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), shefi i ekzekutivit Berisha deklaroi se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën, por me asnjë kusht që të dilet mbi vendimet e gjykatave.
“Jam gati të bashkëpunoj plotësisht për të zgjidhur krizën duke u mbështetur në rezolutën e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit Europian, në deklaratën e Komisionit Europian si dhe me komisionin hetimor që kam ngritur. Në tryezën time kam deklaratën e Byrosë Parlamentare të Këshillit Europian dhe rezolutën e Komisionit Europian dhe kërkesat e parashtruara ndaj nesh gjatë vizitës time në Bruksel. Në tryezën e Presidentit të Republikës, Komiteti Presidencial i Këshillit të Evropës ka sugjeruar që të ngrihet komisioni, ndërkohë ka sugjeruar se mund t’i drejtohemi Komisionit të Venecias. Ishte Presidenti i Republikës, ai që kundërshtoi në mënyrë kategorike dhe natyrisht, unë e mbështeta. Kryeministri i vendit nuk mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias për vendimet e gjykatave të vendit, sepse ai mbart një pjesë të sovranitetit të vendit, si përfaqësues i mazhorancës. Por edhe gjykatësit, me Kushtetutën e vendit, mbartin një pjesë të sovranitetit, të cilën Kryeministri është i detyruar ta respektojë gjer në fund dhe jo të shkojë t’i padisë poshtë e lart. Ai që ka ankesë, është ai, i cili mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, në ligjet e këtij vendit, të shkruara nga Partia Socialiste, në Kushtetutën e vendit është shpallur si garante e Kushtetutës. Pra, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe zoti Rama, në rast se dëshiron, mund t’i drejtohet kësaj Gjykate, e cila është e vetmja që, në respekt të sovranitetit të vendit dhe të Kushtetutës, ka tagrin të kërkojë mendim amicus curiae apo opinion për qëndrimin e vet.
Ndaj Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës kanë përcaktuar qartë transparencën, në përputhje me Kushtetutën e vendit”, u shpreh kryeministri Berisha.
Lidhur me një draft të mundshëm për zgjidhjen e ngërçit politik dhe të mbështetur nga ndërkombëtarët, kreu i qeverisë informoi se në tryezën e tij, nuk ka mbërritur asnjë herë një dokument i tillë.
“Nuk kam parë dhe nuk kam mbi tavolinën e zyrës asnjë draft apo pakt, por kam deklaratën e Këshillit të Europës, deklaratën e Komisionit Europian, kam kërkesat e parashtruara ndaj meje, gjatë vizitës sime në Bruksel, të cilat i kam bërë transparente, bashkë me zyrtarët më të lartë të Brukselit, në konferencë për shtyp”- tha kryeministri, dujke shtuar se ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se këtë çështje duhet ta zgjidhin shqiptarët”.
“Unë e mbështes këtë dhe garantoj çdo institucion se në Shqipëri ekzistojnë mekanizmat e shtetit ligjor për t’i dhënë zgjidhje çdo problemi, gjithçka tjetër jashtë kësaj është gënjeshtër e bazuar mbi mashtrimin dhe shpifjen”- nënvizoni kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit përsëriti se deklarata e Byrosë Parlamentare e KiE-ë, është dokumenti i shkëlqyer për t’i dhënë fund zgjidhjes së çdo ngërçi.
Berisha vuri në dukej gjithashtu se shumica nuk do bjerë kurrsesi pre e presioneve të ndryshme, për të dalë mbi ligjet dhe kushtetutën e vendit. Në këtë kontekst kryeministri shtoi se mazhoranca do respektojë mbi gjithçka ligjet në fuqi.
Opozita ka të drejtë të protestojë, por ekipet shëndetësore duhet të kontrollojnë grevistët/Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot gjatë një konference për shtyp se mazhoranca do të respektojë çdo metodë proteste të opozitës, brenda normave ligjore, të cilat ia artibuon kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Kreu i qeverisë tha se Shqipëri mbizotëron demokracia dhe liria e fjalës dhe e shprehjes. “Për sa kohë grevistët do rrinë në grevë, do respektohet. Kjo mërzit qytetarët dhe trafikun e Tiranës. Kjo është në kundërshtim me ligjin, por për këtë të përgjigjen ata që kanë marrë vendimin për të ngritur kampin e ngujimit në aortën e Tiranës” - u shpreh Berisha. Ai i ka bërë apel kreut të PS-së Rama që të lejojë ekipet shëndetësore zyrtare të kontrollojë grevistët. “Edhe ata që lëndojnë edhe ata që këndojnë duhet të mjekohen”,- tha shefi i ekzekutivit. Përsa i takon protestës së opozitës nëpërmjet bllokimit të rrugëve, kryeministri garantoi shqiptarët se çdo aks rrugor do jetë plotësisht i kalueshëm.
BERZH u njoh me progresin ekonomik të Shqipërisë, do vazhdojmë rritjen e pagave dhe pensioneve/Duke informuar mbi punimet vjetore të BERZH në Kroaci, kryeministri Sali Berisha u shpreh se ka njohur të pranishmit me progresin e shënuar në fushën ekonomike. Pavarësisht efekteve të krizës ekonomike, kryeministri tha se qeveria do vazhdojë rritjen e pagave dhe pensioneve, ashtu siç ka premtuar. “Theksova se Shqipëria i ndjeu pasojat e cunamit financiar dhe ekonomik botëror në tremujorin e fundit të vitit 2008. Pati një tërheqje depozitash gjatë vitit 2009, një rënie të eksporteve dhe një rënie të rritjes ekonomike, por e cila mbeti qartësisht pozitive me 3.5 përqind, një inflacion të kontrolluar, deficit buxhetor në parametra të pranueshëm dhe borxh publik. Një kuadër tjetër, thellësisht i ndryshëm me atë të vitit të kaluar, paraqitet këtë vit. Ka një rritje me 140 përqind të eksporteve “made in Albania”. Duhet të pranojmë se në rritjen prej 140 përqind, në vlerën rreth 45 përqind të saj i detyrohet energjisë, por mbi 90 përqind e saj është e palidhur me energjinë. Nga ana e prodhimit të energjisë, ky është një vit i pakrahasueshëm. Deri tani është prodhuar energji më shumë se në të gjithë vitin 2007 a 2008 të marrë sëbashku, pra, ka një prodhim shumë të madh energjie. Theksova se eksportet me material importi kanë rritje prej 27 përqind.
Në një kohë kur vendet e tjera njoftonin për rënie të ekonomisë, ne u zotuam se qeveria do të vijojë rritjen e pagave e pensioneve”, deklaroi kreu i qeverisë Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›