Bregu: Zgjidhja e ngërçit politik, sipas ligjeve në fuqi
PD mbledh forumin e Gruas
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, është shprehur se Partia Socialiste ka krijuar një situatë anadollake në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke shtuar se gratë greviste po nxisin urrejtjen popullore.
Këto deklarata ministrja Bregu i bëri gjatë një konference të mbajtur në ambientet e selisë së PD- së në Tiranë, nga Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë.
Në këtë takim parapërgatitor të mbajtur para zhvillimit të zgjedhjeve në këtë Forum, ka folur dhe deputetja dhe kryetarja e kësaj Lidhjeje, Albana Vokshi, e cila duke iu referuar grevës së Partisë Socialiste u shpreh se ndryshimet kushtetuese arrihen në rrugë institucionale dhe jo me protesta pa kuptim.
Në këtë takim të mbajtur dhe për ndryshimin e statutit të kësaj lidhjeje kanë marrë pjesë dhe gra përfaqësuese të Partisë Demokratike, midis të cilave dhe deputetet Lajla Përnaska, Mesila Doda, etj.
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë, në kuadër të ristrukturimit të strukturave të saj njoftoi fillimin e procesit zgjedhor në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Për të siguruar një proces sa më transparent dhe gjithëpërfshirës, LDGSH fton të gjitha anëtaret, simpatizantët dhe publikun e gjerë të marrin pjesë për të kontribuar kështu në promovimin e vlerave të gruas shqiptare dhe në zbatimin e Programit të LDGSH-së.
Në Kuvendin e organizuar për fillimin e këtij procesi, drejtuesit e LDGSH-së kanë ftuar të gjitha zonjat dhe zonjushat, të cilat duan të aderojnë pranë kësaj organizate politike, të anëtarësohen pranë strukturave të saj në njësitë e Tiranës dhe të gjithë republikës.