“Zhvendosni çadrat në trotuar për të vazhduar shfaqjen, dhe qytetarët nuk pengohen”
PD, thirrje personazheve të teatrit të Edvinit
Partia Demokratike i bëri thirrje sot organizatorëve të grevës dhe grevistëve socialistë, që të zhvendosin çadrat e burgut në trotuar, për të vazhduar aty shfaqjen teatrale, duke mos penguar kështu qytetarët.
Deputeti demokrat, Edi Paloka tha dje se si politikan, por edhe si qytetar i Tiranës, në mënyrë që të vazhdojë të shikojë shfaqjen e përgatitur me kujdes do dojë t’i ofrojë një kompromis çunave të bllokut të cilët që prej 16 ditësh kërkojnë zyrat e babit: “Zhvendosini çadrat në trotuar e vazhdoni shfaqjen, qytetarët nuk i pengoni dhe ju rrini sa të doni. Dje shqiptarët panë shfaqjen më të fundit të trupës teatrale ambulante. Mesa duket në programin e fundit teatror ka vendosur të luajë filma me heroizma partizane, në disa udhëkryqe të Tiranës dhe kryesisht në Bulevardin e Dëshmorëve të Kombit”- u shpreh Paloka.
Ai tha më tej se shokët e Njësitit gueril të spitalit infektiv, na paskan habitur edhe mjekët me gjendjen e tyre perfekte shëndetësore, jo shpirtërore.
“Do ta kishim vlerësuar këtë shfaqje në të gjithë komponentët e saj nëse nuk do kishte penguar seriozisht qytetarët e Tiranës për të kryer punët e tyre të përditshme”, deklaroi më tej deputeti demokrat, Edi Paloka.