E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita të vijë në Kuvend, i garantoj veton për reformën zgjedhore



Kryeministri Sali Berisha ka ftuar opozitën të vijë në Kuvend dhe të negociojë me mazhorancën kushtet e saj dhe reformën e mëtejshme zgjedhore, për të cilën ai i ka premtuar respektimin e vetos. Sipas Kryeministrit shqiptar, i cili i ka bërë këto komente nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhet për të marrë pjesë në sesionin e radhës të Asamblesë së OKB-së, ai i sheh si pa substancë kushtet e opozitës, ndërkohë që i referohet raportit të vëzhguesve ndërkombëtare, duke thënë se nuk ka në këtë raport të dhëna se ka pasur manipulime të rezultatit të zgjedhjeve. Sipas tij, opozita duhet të punojë bashkë me mazhorancën që të zgjidhë problemet që u hasën në këto zgjedhje.

Zhvlerësimi i lekut përballë euros që erdhi një ditë pasi ai deklaroi se Shqipëria do të adaptojë euron si para bazë në ekonominë e saj, është parë nga Kryeministri si një proces që nuk ndikon tek çmimet. Ai ka pranuar se mund të ketë ndikuar deklarata e tij, por ai shtoi se ishte mënyra se si e përcolli media ajo që ndikoi, pasi ai e shihte këtë proces si afatgjatë në kohë.

Çfarë kontributi mund të ofrojë një vend i vogël si Shqipëria në këtë debat?

Së pari shembullin e saj, përzgjedhur si vend pilot në kuadrin e reformës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por edhe në kuadrin e “Millenium Challenge Corporation”, mendoj se Shqipëria ka qenë e suksesshme në luftën kundër varfërisë. Po të kemi parasysh se në tre vjet 400 mijë qytetarë kanë dalë përtej pragut të varfërisë, kanë kaluar pragun e varfërisë me të ardhurat për frymë, e proporcionuar kjo me numrin e përgjithshëm të popullsisë, është një arritje e konsiderueshme. Shqipëria merr pjesë në operacionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Çad dhe është e vendosur që shtojë praninë e saj në operacionet paqeruajtëse në kuadrin e kësaj organizate.

Zoti Berisha, sa e dëmton ekonominë e Shqipërisë zhvlerësimi i monedhës së lekut dhe a ishte një keqinterpretim i deklaratave tuaja fakti që solli reagimin e tregut?

Realiteti është ky, gjatë muajve të fundit ka një dobësim që luhatet nga 7 deri në 10 për qind, dobësim i cili nuk është problematik. Për derisa ky dobësim nuk ka pasoja mbi indeksin e çmimeve nuk përbën një problem serioz. Si i tillë, natyrisht ka pasoja negative dhe pozitive. Pasoja pozitive është eksporti, favorizon eksportin. Pasoja negative është së shtrenjton kredinë, por sidoqoftë mendoj se është në kuadrin e një fleksibiliteti plotësisht të pranueshëm. Banka e Shqipërisë, duhet të vlerësoj këtu, ka bërë një menaxhim shumë të mirë të këtij problemi dhe në limitet e kësaj lëvizje është plotësisht e pranueshme. A ndikoi deklarata? Unë nuk mund të përjashtoj një ndikim të lehtë të saj, por çështja e deklaratës, ka të bëjë më shumë me një plan perspektiv dhe aspak imediat. Sepse edhe sikur Shqipëria të dojë, nuk mund ta realizojë dot pa një periudhë jo të shkurtër kohore.

Ndoshta ishte zgjedhja e papërshtatshme e fjalëve nga ana e juaj?

Nuk ishte zgjedhja e fjalëve nga ana ime, por ishte edhe ekoja që i dhanë mediat fjalëve të mia. Por mediat kanë bërë detyrën.

Zoti kryeministër, në Shqipëri duket se ende nuk keni dalë nga situata paszgjedhore, në Parlament nuk ndodhet opozita. A është problem për ju që të qeverisni, nëse opozita do të vazhdojë të mungojë?

Për këto zgjedhje ka një vlerësim të arbitrit, i cili thotë për herë të parë se zgjedhjet në Shqipëri plotësuan për herë të parë angazhimet kryesore e OSBE dhe ODHIR dhe se vlerësimi i përgjithshëm për to është pozitiv. Atëherë, më tutje, zgjedhjet nuk ishin të përsosura, sepse zgjedhje të përsosura Shqipëria do të dojë shumë kohë për të pasur dhe janë të pakta vendet që i kanë të përsosura dhe përsëri arbitri ndërkombëtar ka bërë një sugjerim. Opozita është e ftuar që të ulet dhe unë do t’i jap asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të këtyre sugjerimeve të arbitrit ndërkombëtar. Por zbatimi i këtyre sugjerimeve bëhet në parlament dhe jo jashtë Parlamentit. Në rast se opozita përcakton kushte, të cilat dalin jashtë kërkesave të bëra nga arbitri ndërkombëtar, zgjedhjet janë sa kombëtare aq edhe ndërkombëtare. Ne nuk mund t’i konfondojmë gjërat. Ndaj edhe unë e mirëpres atë të vijë në parlament. E garantoj atë se sikur ka përcaktuar pothuajse çdo gjë në kuadrin zgjedhor të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga sistemi te komisionet, sërish unë i njoh asaj të drejtën, dhe për sa kohë unë do të jem në pushtet do t’i njoh të drejtën e përzgjedhjes opozitës. Ky është një qëndrim i pandryshueshëm i imi.

Pra ky është kompromisi që ofrohet, pasi opozita ka një numër kërkesash?

Më fal, por cila është substancuar, se duhen substancuar. Nëse opozita thotë numërimi, ka një vlerësim të arbitrit ndërkombëtar. Nuk ka të dhëna për parregullsi në numërim dhe manipulim të rezultateve. Ka vërejtjet për numërimin, për pozicionimin etj., urdhëro të përcaktojmë rregullat, por duhet të them një gjë, ky ka qenë numërim unik në botë. Është hera e parë në historinë e zgjedhjeve botërore që çdo votë filmohet, fotografohet, transmetohet online në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Atëherë, ka pasur problem në vendosjen e njerëzve ose të teknologjisë? Urdhëro të përcaktojmë rregullat se si ta përmirësojmë.

Zoti Berisha, sa herë që vini në Shtetet e Bashkuara, ju i bëni thirrje shqiptaro-amerikanëve që të investojnë në Shqipëri. Por sa janë dëgjuar thirrjet tuaja, a ka shembuj suksesi apo ata ngurrojnë për shkak të imazhit të Shqipërisë, një vend që është ende në tranzicion?

Mendoj se në klimën e biznesit janë bërë dhe po bëhen përparime shumë të mëdha. Regjistrimi i biznesit sot bëhet me 1 euro brenda gjysmë ore, nga 4 mijë euro dhe ditë të tëra nëpër gjykata që bëhej më parë. Kemi krijuar “One Stop Shop” për licencat dhe lejet, dhe kemi hequr 2/3 e lejeve dhe të licencave, kemi ndërmarrë një seri masash të tjera dhe po vazhdojmë. Tani një problem mundues që ka qenë për investimet është çështja e pronësisë. Po i jepet një përgjigje shumë e mirë nëpërmjet parqeve industriale. Qeveria po punon me dy nga ekspertët më të njohur në Evropë për investimet e huaja. Do të bëhet një reformë e thellë e Agjencisë së Investimeve të Huaja, do të bëhet një profilizim i ri i diplomacisë shqiptare drejt diplomacisë ekonomike, pra kjo përbën një temë themelore të qeverisë dhe shqiptarët po vijnë dhe po investojnë. A mund të vijnë më shumë? Do të vijnë më shumë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›