Kuvendi miraton sot marrëveshjen e ujërave me Greqinë
Kuvendi pritet të miratojë sot në seancën e pasdites projektligjin për marrëveshjen e ndarjes së ujërave territoriale me shtetin grek. Kjo marrëveshje e nënshkruar disa muaj më parë midis dy qeverive u kundërshtua nga opozita, pasi sipas saj, nuk kishte pasur transparencë, ndërsa qeveria deklaroi se marrëveshje zgjidhi një problem shekullor mes dy shteteve, që ishte përcaktimi i saktë të kufirit ujor mes dy vendeve. Nga ana tjetër, qeveria tha se për ndarjen e ujërave është vepruar në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë nënshkruar të dyja vendet, në rastin konkret, atë të Montego Bay. Nga ana tjetër, sot paradite do të mblidhen komisionet parlamentare për të shqyrtuar disa projektligje "Për shfuqizimin e ligjit të vitit 1998 "Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit nr. 204, datë 5.6.1992 "Për pasurinë e sindikatave", ndërsa Komisioni i Ligjeve do të diskutojë disa ndryshime në ligjin "Për përgjimin e telekomunikacioneve"” etj.