E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta takon homologun indonezian, kërkon njohjen e Kosovës



Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi një takim në Nju Jork me ministrin e Jashtëm të Indonezisë, Hasan Uirajuda. Në takim u trajtuan kryesisht çështje të bashkëpunimit dypalësh, situata në rajon e në veçanti çështja e Kosovës. Meta vuri në dukje se pavarësimi i Kosovës është një fakt dhe proces i pakthyeshëm, i cili ka ndikuar mjaft pozitivisht në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Duke respektuar qëndrimin e palës indoneziane për çështjen e Kosovës, ministri Meta shprehu dëshirën që ky realitet të njihej e të reflektohej edhe në politikat e qeverisë indoneziane. Meta vuri në dukje rëndësinë që Shqipëria i kushton marrëdhënieve me Indonezinë dhe vlerësoi rolin e këtij vendi në rajon e në organizmat ndërkombëtare. Ai u shpreh për shtimin e kontakteve midis dy ministrive të Jashtme në të gjitha nivelet, si dhe kompletimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit reciprok. Ministri i Jashtëm, Meta, mori pjesë gjithashtu në disa veprimtari shumëpalëshe si Takimi Ndërkombëtar mbi Partneritetin për Sigurimin e Ushqimit dhe Takimi Vjetor i Miqve të Aleancës së Civilizimeve. Në fjalën e tij në Forumin e Aleancës së Civilizimeve, z. Meta vuri në dukje punën e bërë nga qeveria shqiptare në kuadrin e realizimit të synimeve të Aleancës dhe shprehu vullnetin dhe angazhimin e qeverisë së re për të vazhduar më tej në këtë drejtim. Njëkohësisht, ministri Meta mori pjesë në një takim me përfaqësues të diasporës që kanë dhënë kontributin e tyre kulturor, social e ekonomik në shoqërinë amerikane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›