E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ora e opozitës ka ngelur

Universiteti i Korçës “Fan Noli”, festoi sot edhe 40 vjetorin e themelimit, nga ku Berisha tha se Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të angazhohet për një reformë të thellë në arsimin e lartë, ndërsa shtoi se diplomat e shkollës së lartë nuk do të jenë më libreza punësimi, por dëshmi e standardeve të universiteteve. 

Berisha kundërshtoi opozitën, që i cilëson universitetet si pellgje papunësie. "Universitetet janë shanse punësimi. Sulmet e opozitës janë të pavlera. Ora e opozitës ka ngelur. Ata që thonë se i kemi kthyer universitetet në pellgje papunësie u them se sulmet tuaja janë pa vlerë. Pothuajse trefishimi i numrit të studentëve, dëshmon që ëndrra universitare ishte së paku 3 herë më e madhe se shanset që u afroheshin asaj për t'u bërë realitet”, tha Berisha.

"Vetëm për 5 vite ia dolëm që një sistem, i cili po degradonte, të rindërtohej. Dyfishuam rrogat e mësuesve. Ia dolëm që 90% e të gjithë nxënësve të shkollave 9 vjeçare të hyjë në shkollat e mesme, nga 70 % që ishte kjo shifër pak vite më parë. Numri i studentëve u rrit nga 52 mijë në vitin 2005 në 138 mijë në një hark të shkurtër kohor”, theksoi Kryeministri.

Berisha kujtoi se janë investuar mbi 150 milionë lekë në 3 vitet e fundit dhe sipas tij, "do të bëjmë gjithçka që këtij universiteti dhe të gjithë universiteteve në vend t'i sigurojmë infrastrukturën më moderne. Ky universitet ka një bazë laboratorike moderne, biblioteka, salla leksionesh dhe videokonferencash nga më modernet”. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-10 13:07
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›