E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PD drejt një mandati të tretë, opozita të heqë dorë nga bllokimi në BE

18-10-2012 / Gazeta 55

Shefi i ekzekutivit, takime të rëndësishme gjatë punimeve të Kongresit Statutor të PPE-ve, që zhvillohet në Bukuresht. Në ditën e parë e punimeve të Kongresit LDK e Kosovës anëtarësohet me të drejta të plota në PPE

Kryeministri Sali Berisha takoi dje në Bukuresht, në kuadër të punimeve të Kongresit të XXI të PPE-së, me Zëvendëskancelarin dhe Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger. Kryeministri e falënderoi Spindelgger për mbështetjen dhe vendimin për dërgimin në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, për periudhën e festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Kryeministri, duke nënvizuar vlerën e jashtëzakonshme simbolike të armëve të Skënderbeut, e vlerësoi këtë si një gjest shumë miqësor nga ana e Austrisë.
Në takim, Zëvendëskancelari Spindelegger e cilësoi raport progresin e Komisionit Evropian në lidhje me Shqipërinë si shumë pozitiv dhe e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e palëkundur të Austrisë në procesin e vendimmarrjes për statusin kandidat dhe ne hapat e mëtejshëm për integrimin evropian.
Ai theksoi se, pavarësisht situatës së vështirë politike, Shqipëria dhe mazhoranca qeverisëse kanë bërë shumë përpjekje dhe ka arritur shumë në rrugën e modernizimit dhe integrimit.
Kryeministri falënderoi për mbështetjen e qeverisë dhe parlamentit austriak dhe theksoi se, pavarësisht rrugës me sfida që ndodhet përpara, qeveria shqiptare është e palëkundur në progresin e shpejtë drejt Bashkimit Evropian.
Ai i cilësoi si të drejta kërkesat e KE-së për dhënien e statusit dhe u angazhua se mazhoranca do bëjë gjithçka të mundur që të përmbushë këto detyrime, por nënvizoi se për këtë është e nevojshme që opozita gjithashtu të heqë dorë nga bllokimi i ligjeve të kërkuara nga BE-ja. 
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime në lidhje me forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve austriake në Shqipëri.
Kryeministri siguroi Spindelegger se qeveria shqiptare është e gatshme të krijojë ambient sa më pozitiv për këto investime.
Në takim u bisedua edhe për forcimin e marrëdhënieve midis dy partive. Kryeministri ftoi përfaqësues të partisë së Spindelegger të vizitojnë Shqipërinë, duke theksuar se sapo ka filluar fushata që do të çojë në mandatin e tretë të PD-së.
Spindeleger u shpreh se qeveria e Kryeministrit Berisha ka arritur shumë gjatë këtyre dy mandateve dhe ka shumë për t’i treguar elektoratit, duke shpalosur një trajektore të sigurt të zhvillimit në të ardhmen. 
Berisha – Frattini: Tre prioritetet presin votën e opozitës në Kuvend/Në kuadër të punimeve të Kongresit të XXI të PPE-së, që po zhvillohet në datat 17-18 tetor në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me ish-ministrin e jashtëm italian si dhe kryetar i grupit ad hoc në EPP për politikat e jashtme, Franco Frattini. Ai e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që ai dhe Shqipëria i dha kandidaturës së z. Frattini për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Kryeministri Berisha siguroi mbështetjen e plotë duke e cilësuar kandidaturën e Frattinit si të merituar për këtë pozicion shumë të rëndësishëm në arenën botërore. Frattini u interesua për hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit, pas raportit pozitiv të Komisionit Evropian që propozoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Kryeministri e cilësoi si një dokument historik raportin dhe vlerësoi si të drejta kërkesat e KE për miratimin e tre akteve legjislative para marrjes së vendimit nga Këshilli Evropian në dhjetor të këtij viti.
Kryeministri Berisha nënvizoi se këto akte janë tashme në Kuvend dhe presin votën e opozitës socialiste në mënyrë që këto kërkesa të fundit të plotësohen në kohë me konsensus. Kryeministri siguroi gatishmërinë e mazhorancës për të hedhur hapat e fundit bashkë me opozitën, si akte në interesin më të mirë të vendit. Kryeministri theksoi se, qëndrimet bllokuese dhe konfuze të opozitës, po vonojnë miratimin e këtyre ligjeve në kohën e duhur.
Në përgjigje të interesit të Frattinit për zhvillimet në rajon, Kryeministri theksoi se, pas një serie zhvillimesh pozitive në të shkuarën që sollën stabilizim, situata politike në rajon karakterizohet nga një stanjacion politik që duhet konsideruar me kujdes dhe seriozitet nga Evropa dhe komuniteti ndërkombëtar. Ai theksoi se procesi i integrimit evropian është një katalizator dhe shtytës i fuqishëm i paqes dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri theksoi se pavarësisht krizës që po kalon, Evropa duhet të ruajë fokusin mbi rajonin.
Ai theksoi se vendet jo-anëtare të rajonit ndjejnë pasojat e krizës në zonën Euro , ndërkohë që mbeten jashtë masave mbrojtëse të BE-së.
Në përfundim Kryeministri ftoi Frattinin që, si një mik i madh i shqiptarëve, të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga Frattini.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›