Berisha: PD parti e taksave të ulëta - do vijojmë investimet në bujqësi dhe infrastrukturë
Kryeministri bashkëbisedon me banorë e fermerë të Karahaxhit në rrethin e Sarandës
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje në mesditë një bashkëbisedim me fermerë të Karahaxhit, në rrethin e Sarandës, ku diskutoi disa nga politikat që parashikon të ndjekë Partia Demokratike në mandatin e tretë. Para fermerëve, kryeministri deklaroi se PD-ja është partia e taksave të ulëta. “Brenda këtij mandati do të përfundojë shpërndarja e hipotekave dhe regjistri dixhital i tokës”, informoi Kryeministri. Ai premtoi vazhdimin e investimeve në infrastrukturë për lidhjet e komunave me akset kombëtare si dhe lidhjen e rrugëve të fshatrave me qendrat e komunave. Kreu i qeverisë tha se shumë shpejt do të nisë puna edhe për ndërtimin e landfillit, projekt ky që u cilësua prej tij si jetik për Sarandën, Delvinën dhe Himarën. Në bisedë me fermerët e komunës Karahaxh kryeministri theksoi se ideja e opozitës për heqjen e TVSH-së për mallrat e importit, si vaji, qumështi, mielli, etj, është një ide shkatërrimtare për prodhimin vendas, por edhe për blerësin. Duke vlerësuar prodhimin bujqësor për eksport të fermerëve të kësaj zone, kryeministri tha se ato kanë një efekt pozitiv në balancën tregtare dhe një efekt shumë të rëndësishëm në çmimet brenda vendit.
Minoritarët: Vota jonë për Sali Berishën/Gjatë takimit me fermerët e zonës Sarandë, Delvinë, kryeministri Sali Berisha u përshëndet nga fermerët e suksesshëm të fushës së Vurgut si dhe banorë të minoritetit. Ata i rikujtuan kryeministrit Berisha investimin dinjitoz për dyshtetësinë e tyre, një e drejtë e firmosur nga zoti Berisha dhe që u ka dhënë atyre të drejtën të jenë qytetarë të Europës dhe shtetas investues në Shqipëri. “Ju jeni i vetmi kryeministër që keni bërë për minoritetin zoti Berisha”, theksuan ata në diskutimet e tyre. Vasil Koloj nga Sopiku, Dhimitër Miçi nga Dhivri, Dhimtër Kosta nga Livadhjaja, ishin disa nga fermerët minoritarë që në bashkëbisedimin me kryeministrin kërkuan vazhdimin e investimeve të qeverisë shqiptare në zonat minoritare, duke tërhequr vëmendjen në kontrollin ndaj përdorimit të tokave bujqësore dhe qeverisjes lokale. Kryeministri Berisha garantoi se lidhur me problemet e tokës do të shqyrtohet çdo dosje dhe “do të shqyrtojmë çdo dosje, nuk ka asnjë arsye të mos jepet toka e lirë dhe e njohur, duhet të vazhdojë parimi i kthimit të pronës pronarit, parim që i përmbahemi”. “Do bëjmë gjithçka për të ndërtuar infrastrukturë në çdo zonë të minoritetit, që të kthehet shpresa. Kudo që ne kemi mundësi, por ndërtimi i infrastrukturës është kushti”, shtoi kryeministri Berisha, duke garantuar rindërtime të rrjeteve të ujitjes dhe kullimit. Takimi i kryeministrit Berisha me fermerët e zonës në resursin turistik Rrepet e Karahaxhit zgjati 2 orë mes një komunikimi të përzemërt, të hapur e me pyetje spontane, duke krijuar një mjedis miqësor e garantues në vijueshmërinë e proceseve demokratike.