Berisha: PS, opozita më e çuditshme. Ruçi: Je përgjegjës direkt për krizën
Replikat mes krerëve të mazhorancës dhe opozitës kanë sjellë batuta, tensione dhe përplasje politike në sallën e Parlamentit. Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, të vetmet gjëra të përbashkëta dje në Kuvend kanë pasur ngjyrën e kostumit dhe kravatës, por ajo që i ndante ishte çështja e transparencës së votës ku secila palë i mëshonte fort qëndrimit të vet. Opozita është treguar agresive në aksionin e djeshëm parlamentar politik në sallën e Kuvendit. Mazhoranca nga ana tjetër është hedhur në ofensivë për të mbrojtur dhe votuar projektligjet e miratuara në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit. Klima e nxehtë politike në Kuvend dhe dueli PD-PS për koincidencë ngjason edhe me ndeshjet çerekfinale të kampionatit botëror ku skuadrat janë dhëmbë për dhëmbë me njëra-tjetrën për fitimin e ndeshjes në të njëjtën mënyrë siç luftojnë forcat politike për transparencën e kutive.
Kryeministri ka thumbuar opozitën lidhur me diskutimet e projektligjeve, por edhe duke u treguar provokativ. “Më gjeni një vend ku Presidenti të propozojë të gjithë gjyqtarët dhe Parlamenti t’i votojë fshehtas. A e imagjinoni sikur pas tre vitesh t’ju bëhet Sali Berisha President, që nuk do bëhet kurrë, po ju do kapnit kokën me dorë”, tha Berisha. Duke iu drejtuar opozitës, shefi i qeverisë theksoi se nuk do të bëhet President, por ç’do të ndodhte me opozitën nëse dilte një tjetër si puna e tij. Pas propozimeve në PS për të mos u votuar asnjë ligj në Parlament, në debatin e lirë 60 minutësh, Kryeministri Sali Berisha ka reaguar nga podiumi i Kuvendit që politika shqiptare të lërë mënjanë armiqësitë dhe të bashkëpunojë për hir të mirëqenies në vend. Berisha theksoi sot se në asnjë vend të botës, asnjë opozitë nuk braktis votimin e ligjeve, por bashkëpunon në Parlament, mbi të gjitha, sepse është ligjvënës.
“Kurrë nuk mund të ndodhë që një opozitë të mos votojë ligjet kjo s'ka ndodhur kurrë në historinë e Parlamentit, sepse jeni ligjvënës, ju garantoj se çdo ligj do diskutohet këtu në frymën e kompromisit, ju garantoj se në çdo rrugë tjetër propozimet tuaja do vlerësohen që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”, tha Berisha.
Më tej, Berisha kujtoi se dhe në kohë më të vështira, ish-ministra e ish-kryeministra nga opozita kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me pozitën për të mirën e vendit. Kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi, në kundërpërgjigje u shpreh se “ajo që duhet t’u thuash sot njerëzve është e ke marrë apo s’e ke marrë pushtetin me votë dhe po e mban apo nuk po e mban me dhunë. Kjo është përgjigjja që duhet të japësh, pushtetin s’e ke marrë me votë, opozita shqiptare dhe gjysma e popullit shqiptar të akuzojnë ty se ke vjedhur votat, që të bësh transparencën për votat e vjedhura”. Ruçi i kërkoi Berishës që t’i japë fund krizës politike duke zgjidhur çështjen e zbardhjes së votave në kutitë e votimit. Por, kreu i qeverisë reagon sërish duke shkaktuar dhe të qeshura dhe duartrokitje në sallën e Parlamentit duke thënë se ai është një lider i rrallë në botë që përzihet me dhunë dhe fiton pushtetin me votë. “Unë u përkas atyre politikanëve të paktë në Europë e botë që ma morën pushtetin me dhunë dhe ua mora me votë. Por problemi i vërtetë është se ju e morët pushtetin me dhunë dhe ne ju përzumë me votë”, tha Berisha duke lënë pas kësaj fjale dhe sallën e Parlamentit. Ironia nuk ka munguar në sallën e Kuvendit dhe Kryeministri Berisha u është drejtuar socialistëve duke u thënë se “mos mendoni ju që unë dua që të merret vesh në Europë dhe në botë se ka një opozitë në Shqipëri që nuk do të votojë asnjë ligj në Parlament dhe kjo për inat të mullixhiut, për inat të Kryeministrit. Nuk udhëhiqeni dot nga kulti i armikut, sepse absolutisht është rruga më e gabuar, sepse kemi lënë sistemin kur udhëhiqeshim nga kulti i armikut. Tani udhëhiqemi nga kulti, jo ju hallin e keni te kulti s’e keni te shumica. Shiko ata mullinj ju i keni për zemër, por unë po ju them urdhëroni të bashkëpunojmë”. Përfaqësuesi më i lartë i opozitës në Parlament tha se “Jeni përgjegjësi i drejtpërdrejtë për këtë krizë politike. Jeni përgjegjësi i drejtpërdrejtë për mungesën e transparencës së zgjedhjeve. Jeni përgjegjësi i drejtpërdrejtë për uzurpimin e organeve të drejtësisë nëpërmjet fshirjes së votimit të fshehtë dhe votimit të atyre njerëzve që ti mendon se do t’i shërbejnë implikimit të korrupsionit të familjes tënde politike”.
#