Shefi i rremë i antikorrupsionit, staf bashkëpunëtorësh me pagesë

Zbulohet veprimtaria e kundërligjshme e shefit të rremë të antikorrpusionit, i cili kishte krijuar edhe një staf për të qenë më i besueshëm. Ai kishte punësuar tre persona dhe veç prezantimit si shef i antikorrupsionit, ai prezantohej edhe si gjyqtar. Këto janë zbuluar nga hetimi i seksionit të antikrimit ekonomik, që ka vendosur arrestimin e Alban Muços, 34 vjeç, me banim në Fier.
Që një ditë më parë, policia deklaroi se kishte shoqëruar 34-vjeçarin, për të cilin kishte një sërë denoncimesh nga bashki në qytete të ndryshme për mashtrim. Alban Muço është shoqëruar fillimisht nga Komisariati Nr. 1, që ka marrë informacion mbi aktivitetin e tij të dyshimtë, ndërkohë që më vonë çështja i ka kaluar antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burimet policore bënë të ditur se Muço dyshohet se kishte realizuar falsifikimin e një karte, ku identifikohej si drejtor i antikorrupsionit në Ministrinë e Financës.
Nëpërmjet kësaj letre, ai hynte në bashki, ku deklaronte se kishte shkuar për kontroll. Rasti i fundit ka ndodhur në Gjirokastër, ku ai kishte “rreshtuar” gjithë punonjësit, duke deklaruar se kishte shkuar për kontroll. Në ato momente, ai kishte kryer procedurat e zakonshme dhe më pas përgatiste një notë vlerësimi për kontrollin e kryer. Kështu, dyshohet se ka vepruar në disa rrethe, deri dy ditë më parë, që është kapur nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1. Sipas të dhënave, ai mendohet se ka kryer veprime të tilla, kundrejt përfitimeve financiare, duke kryer shantazh edhe mbi punonjësit.
Veç rastit, ku ai prezantohej si shef i antikorrupsionit në Ministrinë e Financave, policia ka dokumentuar edhe raste, ku ai prezantohej si gjyqtar. Për të perfeksionuar punën e tij, ai kishte punësuar edhe një staf, të cilët i ka mashtruar, pasi nuk u ka dhënë para. Burimet policore të kryeqytetit, që kanë bërë arrestimin e Muços, thanë se ka krijuar një staf të përbërë nga disa persona si shoferë, financierë dhe juristë, të cilëve u kishte premtuar se do t’u jepte rroga të mira.
Sipas të dhënave, këta persona ishin vënë në funksion të tij me mjetet dhe shpenzimet e tyre në një vlerë të konsiderueshme. Megjithatë, deri në momentin e arrestimit, ata besonin te Muço, por më pas janë hapur para policisë, duke deklaruar se çfarë kishte ndodhur. Ai mendohet se ka kryer aktivitet të dyshimtë për një periudhë të gjatë kohore. Ndërkaq, policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e tij, ku në cilësinë e provës materiale, i ka bllokuar katër celularë, 1 lap-top dhe një sasi të konsiderueshme dokumentesh dhe provash materiale, të cilat i përdorte për kryerjen e veprës penale.
Burimet policore thanë se kapja e tij u bë në bazë të informacioneve të mbledhura mbi këtë person. Ai u kap pranë Piramidës, në anë të Kryeministrisë. Me vete iu gjet edhe një notë vlerësimi. Më pas, ai u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ai do të akuzohet për veprën penale të parashikuar në nenin 143/2 dhe 2426/2 të Kodit Penal. Neni 143/2 ka të bëjë me mashtrimin, ku cilësohet se vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet. Ndërsa neni 246/2 parashikon përvetësimin e titullit apo të detyrës shtetërore, që kur kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
#