Mihallaq Andrea merr titullin Personalitet i shquar
Kantautori i njohur korçar, Mihallaq Andrea, u dekorua dje me titullin “Personalitet i shquar i Qarkut të Korçës”. Këshilli i Qarkut i ka akorduar këngëtarit këtë titull në shenjë mirënjohjeje për kontributin që ka dhënë si krijues dhe këngëtar. Mihallaq Andrea është vlerësuar me këtë titull nderi për veprimtarinë e pasur artistike në vite si krijues i serenatave korçare dhe interpretues i këngës që i kushtohet dashurisë. Artisti e ka merituar dekorimin si një nga figurat me përmasa të mëdha në fushën e muzikës. Në ceremonisë e dhënies së titullit “Personalitet i shquar”, ai është dekoruar jo vetëm për punën e gjatë dhe krijimet e veçanta, por edhe për faktin se është kthyer në simbol, duke i rezistuar persekutimit të diktaturës me pasionin e vet për këngën dhe serenatën. Mihallaq Andrea i është kushtuar muzikës që në moshë të re, kur nisi të krijonte këngët e para, për t’u bërë më pas me zërin e tij të veçantë pjesë e pandarë e serenatave në Korçë. Krijimet e tij vazhdojnë të mbeten ndër më të bukurat e më të njohurat. Mihallaq Andrea është cilësuar si këngëtari i dashurisë dhe si ikona e serenatës korçare. Vetë artisti e ka shprehur me këngë emocionin për këtë vlerësim gjatë ceremonisë. Mihallaq Andrea ka një karrierë të pasur muzikore si kantautor dhe së fundi ka botuar edhe një roman mbi jetën e tij duke gërshetuar kështu dy talentet e tij.
#