E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PS të vijë në Kuvend. Pranoj ç‘të duan ata për reformën zgjedhore

Kryeministri Sali Berisha ftoi sërish dje opozitën t‘i bashkohet Parlamentit, duke i premtuar dhe garantuar asaj se do pranojë çdo variant për sistemin zgjedhor përveç atij të Dushkut. "Shpresoj që Partia Socialiste të vijë dhe të zërë vendet e veta në Parlament", tha Berisha. Kryeministri premtoi gjithashtu se do të realizojë të gjitha reformat dhe për këtë është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste. "Për sa kohë që do të jem në pushtet, unë, Sali Berisha, do t‘i njoh të drejtën opozitës të zgjedhë dhe rizgjedhë cilindo sistem zgjedhor që të dojë, përveç sistemit të Dushkut, sepse ai na turpëron. Sikundër, mbetem i vendosur për ndryshimet respektive në kuadrin zgjedhor, për të hequr çdolloj persekutimi me ligj të forcave të tjera politike", tha Berisha. Shefi i mazhorancës theksoi se do të bashkëpunojë me frymë të hapur konstruktive me opozitën dhe garantoi se zëri i saj do të dëgjohet, pasi PS dhe PD do të jenë bashkautorë të reformave të mëdha që do ta çojnë Shqipërinë me shpejtësi drejt Bashkimit Europian.
Qeveria e re
Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PD-së, Berisha bëri të ditur se shumë shpejt do të ndërtojë qeverinë e re. "Kam ndërtuar shumë kabinete, por ketë herë e kisha shumë të vështirë të përcaktoja përbërjen e ministrave. Dua të them që është nder për ju të jeni në Parlament, e cila është arena që do të perfeksionojë oratorinë tuaj", tha Berisha. Kryeministri kërkoi nga grupi i tij parlamentar i përbërë nga 68 deputetë mirëkuptimin e secilit për ndërtimin e qeverisë, ku vetëm 10 demokratë do të kenë mundësi të ulen në karrigen e ministrit.
"Pjesa që i mbetet Partisë Demokratike për t‘u përfaqësuar në qeveri nuk do të mjaftonte as për 1/5, apo edhe më shumë, e atyre që meritonin të uleshin në ato poste", tha ai. Berisha mbajti edhe leksione përpara deputetëve të rinj, duke u treguar atyre se prezenca në Parlament është më e rëndësishme sesa ajo në ekzekutiv. "Në historinë e parlamenteve janë më të shumtë deputetët që ia kanë dalë të skaliten në muret e tij për kontributet e mëdha, sesa anëtarët e ekzekutivit me veprat e tyre, sepse historia botërore është histori legjislacioni", theksoi Berisha.
Koalicionet
Kryetari i PD-së ka treguar në grupin parlamentar arsyet pse bashkëpunoi me LSI për ndërtimin e qeverisë së re.
"Dua të jem i hapur me ju, unë e kam mirëpritur shumë këtë koalicion, sepse së pari, ky ishte koalicion i firmosur nga sovrani; së dyti, ky ishte një koalicion në të cilin do të gjej veten spektri më i gjerë i qytetarëve shqiptarë dhe së treti kjo forcë politike ka në mënyrë të padiskutueshme njerëz të aftë, me eksperiencë dhe të dobishëm për vendin", tha Berisha. PD hyri në zgjedhjet e 28 qershorit me një koalicion të përbërë nga 17 forca politike. "Unë dua të garantoj secilin prej tyre se Partia Demokratike është e vendosur të qeverisë me ta dhe në proporcion me kontributin dhe me koncesion të kësaj partie, sepse i madhi lëshon, ata do të jenë pjesë e qeverisjes dhe së bashku si koalicion do të shkojmë në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013", tha ai.
Vlerësimet
Berisha ka vlerësuar kandidatët e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. "Parlamenti i Shqipërisë, ka sot përfaqësuesit më dinjitozë dhe ka përbërjen më të mirë në tërë historinë e tij të pluralizmit politik", tha ai. Berisha shprehu mirënjohje për deputetët e legjislaturës së kaluar dhe kërkoi një ritëm të shpejtë për 68 deputetët që përfaqësojnë PD-në në Kuvend. "Ne duhet jo të ecim, por të vrapojmë, sepse ne jemi kohëhumbur. Starti ynë 20 vite më parë ka qenë së paku 250 vjet larg satandarteve europiane. Ne nuk mund të rrimë, por duhet të vrapojmë të kapim dhe të shkurtojmë distancat", tha Berisha. Në mbledhjen e grupit është rikonfirmuar detyra e Jozefina Topallit në krye të Kuvendit dhe ajo e Astrit Patozit si nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›