Bojkoti, Rama takon Gjinushin dhe Ndokën
Pak para se të shpallte kushtet për bojkotin e Parlamentit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, dhe kreun e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, rreth situatës politike në vend. Pas takimit, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, deklaroi se synimi janë zgjedhjet e parakohshme, por ato duhet të jenë sipas standardeve. "Një parti serioze opozitare, përfshi PDS, PS apo kushdo qoftë, çdo parti që me seriozitet dhe objektivitet ka denoncuar këto zgjedhje është krejt normale që si hap të parë të mos pajtohet me këto institucione të ngritura dhe të kërkojë transparencën, atë transparencë që s‘arriti ta vendosë as KQZ as Kolegji Zgjedhor", tha Gjinushi. Sipas tij, dihet që zgjedhjet denoncohen kudo publikisht, duke kujtuar këtu rastin e zgjedhjeve të Iranit ku ka dalë në protesta apo në Ukrainë ku kanë dalë me prova në duar. "Zgjedhjet janë perceptim, janë një mori faktesh dhe zgjedhjet janë cenuar që nga mungesa e kartave, pushtimi i televizionit shtetëror e shumë fakte të tjera që janë të mjaftueshme për të vënë në diskutim një rezultat të ngushtë zgjedhor. Siç e dini mandatet u ndanë 70 me 70 dhe me rezultat 70 me 70 çdo cenim ndryshim krahun e pushtetit. Nuk është si në vitin 2005, pa harruar që në 2005 humbi ai që gaboi", vijoi Gjinushi. Ndaj Gjinushi shtroi nevojën e bashkimit në një front të përbashkët të madh, sepse mbrojtja e demokracisë vlen njëlloj për këdo. "Duhet bashkim i së majtës për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës dhe për të mos u lënë hapësira pelivanëve si LSI që mori votat majtas dhe kaloi djathtas", deklaroi ai. Takimi me Gjinushin dhe Ndokën vjen pas thirrjes që kreu i PS, Edi Rama, bëri disa ditë më parë për bashkimin e të gjithë faktorëve politikë.