E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet Kuvendi i ri. Topi, gati të dekretojë Berishën Kryeministër

Sesioni i 19 i Kuvendit të Shqipërisë filloi punën dje zyrtarisht, duke i hapur rrugë krijimit të qeverisë së re. Pritet që tanimë Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, në cilësinë e kreut të mazhorancës së ardhshme, të paraqitet pranë kreut të shtetit për t‘u dekretuar si kreu i ri i ekzekutivit. Më pas ai do të paraqesë listën e ministrave të rinj dhe do t‘ia propozojë për votim Kuvendit bashkë me programin qeverisës. Dje, mirëseardhjen deputetëve të rinj ua ka uruar ligjvënësi më i vjetër, Fatos Beja, i cili ka drejtuar edhe seancën e parë. Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita nuk ka marrë pjesë në seancën e parë, duke iu bindur vendimit të marrë në kryesi për bojkot të Kuvendit. Pavarësisht mungesës së opozitës, deputetët e mazhorancës kanë vijuar seancën normalisht, e cila është ndjekur nga i gjithë trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë, Presidenti i Republikës, si dhe përfaqësues të komunitetit fetar. Drejtuesi i seancës së parë, Fatos Beja, është shprehur se ndihej i nderuar që hapte ai seancën e parë të Kuvendit. Duke e falënderuar trupin diplomatik dhe Presidentin e Republikës për pjesëmarrjen në seancën, Beja u ka uruar suksese në legjislaturën e re të gjithë kolegëve deputetë. "Më lejoni, me këtë rast, t‘ju uroj të gjithë juve dhe zgjedhësit tuaj, për suksesin që keni arritur në zgjedhjet qartazi më demokratike të realizuara ndonjëherë në Republikën e Shqipërisë që nga krijimi i saj dhe të uroj njëkohësisht, që të gjithë ju, në grupet parlamentare ku do të bëni pjesë, të gëzoni miratimin e zgjedhësve tuaj si përfaqësues të tyre", është shprehur Beja. Beja ka theksuar se "përtej interesave të grupit e spektrit politik që përfaqëson secili nga ne, si përfaqësues të popullit, ne kemi të gjithë detyrimin si ligjbërës t‘u shërbejmë me devotshmëri interesave të atdheut tonë, integrimit të plotë të Shqipërisë në Europën e Bashkuar". Duke vlerësuar legjislaturën si një nga më historiket, sepse Shqipëria u bë pjesë e NATO-s, Beja theksoi se tashmë duhet të punohet fort që legjislatura që sapo nisi të jetë ajo që do anëtarësojë Shqipërinë në BE. Pas këtyre fjalëve, duke respektuar rregulloren e Kuvendit, Beja komunikoi emrat e tre deputetëve të rinj të Kuvendit, të cilët janë zgjedhur të jenë në postin e sekretariatit. Ata janë Gerti Bogdani, Pavlina Hoti dhe Ledina Aliolli, të cilët kanë zënë vendin e sekretariatit. Po në bazë të Rregullores së Kuvendit, grupet parlamentare kanë sjellë propozimet e tyre për deputetët që do të jenë në Komisionin e përkohshëm të Verifikimit të Mandateve. Komisioni përbëhet nga nëntë deputetë të mazhorancës e opozitës. Nga PD-ja, Astrit Patozi ka propozuar emrat e Jemin Gjanës, Mesila Dodës, Osman Metallës dhe Eduard Halimit, ndërsa nga LSI-ja është propozuar emri i Dritan Priftit. Këto propozime janë pranuar dhe drejtuesi i seancës, Beja, u ka kërkuar anëtarëve të komisionit që të marrin dosjet e deputetëve dhe të nisin punën për verifikimin e mandateve. Pas kësaj procedure, Beja mbylli punimet e seancës së parë duke njoftuar se seanca e dytë do të jetë sot, në orën 18:00.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›