E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Bojkoti nuk e ndal dot integrimin e Shqipërisë

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim komentoi dje vendimin për bojkotin e Parlamentit nga ana e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në një komunikim me mediat, Meta tha se është një veprim i turpshëm nga ana e kryetarit në detyrë, Edi Rama.
"Socialistët kanë kontribuar për europianizimin e Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë, pavarësisht se ku ata ndodhen. Ndërsa kjo e sotmja është një shfaqje e turpshme, në kuadër të një degradimi fatkeq që ka kaptuar Kryetarin në detyrë", vërejti Meta. Ai shprehu bindjen se në fund të kësaj legjislature
Shqipëria do të jetë shumë më ndryshe nga çfarë është sot. "Shqiptarët do të ndihen shumë më mirë dhe njëkohësisht atyre që iniciojnë iniciativa të tilla tepër të vjetra për politikën shqiptare, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin ku jetojmë, të jeni të sigurt që do t‘ju vijë turp pas pak kohësh për këtë veprim të pajustifikuar që bëjnë thjesht për probleme të brendshme statutore", vijoi më tej kryetari i kësaj partie.
I pyetur nëse bojkoti i Parlamentit do të jetë pengesë në ecurinë e liberalizimit të vizave, Meta deklaroi se asgjë nuk do ta ndalë projektin e europianizimit të Shqipërisë, atë të liberalizimit të vizave dhe jam i bindur që kundër këtij projekti nuk është Partia Socialiste, por është një lidership, i cili ka vetëm probleme personale dhe interesa personale. Ndërkohë, kreu i LSI-së ka marrë dje një urim nga zv.presidenti i Parlamentit Europian, Gianni Pittella, i cili përshëndeti hyrjen e LSI në koalicionin qeverisës. Pittella u shpreh se mbështet programin e Ilir Metës dhe të LSI-së për integrimin e Shqipërisë dhe për realizimin e reformave që do ta çojnë Shqipërinë drejt realizimit të procesit të integrimit në Europë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›