Berisha: Paketa fiskale, kostoja në buxhet 10 mln USD
Nga miratimi i paketës së re fiskale, buxhetit të shtetit do t’i mungojnë 1 miliardë lekë vetëm nga heqja e tarifës doganore prej 10 për qind, për industrinë e konfeksioneve dhe këpucëve. Nga kjo masë, tha kryeministri Berisha dje në mbledhjen e qeverisë, buxhetit të shtetit do t’i mungojë 1 miliard lekë, por, nga ana tjetër, kjo industri, e cila në shumë nga sipërmarrjet e saj funksionon për modën më të lartë të Europës e të botës, do të ketë mundësi të zgjerohet. Pjesë e kësaj nisme të re fiskale është edhe heqja e taksës së importit dhe e shitjeve të makinave. Gjithashtu do të ketë një tarifë mbi karburantet, si një masë, e cila, theksoi Kryeministri, është jetike për mbrojtjen e mjedisit. “Mbrojtja e shëndetit dhe observimi i standardeve të pranueshme, - tha Kryeministri - përbën një kusht të domosdoshëm. Ndaj dhe taksa e karbonit e tëra, përveç pjesës që mund t’i mbetet qeverisë vendore, do të kalojë për mbjelljen e drurëve frutorë”.
Paketa e re fiskale parashikon edhe një ristrukturim të taksës së qarkullimit, taksë e regjistrimit të automjeteve. Qeverisë vendore do t’i mbetet 20 për qind e këtyre taksave, nga buxheti i shtetit. Kryeministri falënderoi Këshillin Konsultativ të Biznesit, për angazhimin e tyre serioz, në diskutimin e kësaj pakete. “Revolucioni fiskal është një revolucion që vazhdon pandërprerë, sepse ka të bëjë me lirinë e tregut, me lirinë fiskale. Ndaj ne vendosim sot, të heqim, të çlirojmë e bëjmë zero tarifën doganore prej 10 për qind, për të gjitha importet për industrinë e konfeksioneve dhe këpucëve” shtoi Berisha. Sipas tij, nga kjo masë, buxhetit do t’i mungojë 1 miliard e më shumë lekë, por, nga ana tjetër, kjo industri, e cila në shumë nga sipërmarrjet e saj funksionon për modën më të lartë të Europës e të botës, do të ketë mundësi të zgjerohet. Ky është një nga eksportet më të suksesshme të vendit. “Po në këtë kontekst, në një vendim tjetër shumë të rëndësishëm, ne përgjysmuam akcizën e birrës, paçka se disa birrëpirës të mëdhenj mbetën të pakënaqur, por ne e kemi hallin te qytetarët e sipërmarrësit. Nuk e kuptova pse u zemërthyen. Ishte 22 euro dhe ne e zbritëm nën 11 euro, pra, e ulëm me 50 për qind dhe bëmë shumë mirë, sepse kjo është një industri që punëson 3 mijë vetë në Shqipëri”, tha Berisha. Gjithashtu, kryeministri komentoi edhe efektet e taksës së makinave, për të cilën tha se, ristrukturimi i taksave të automjeteve nuk është absolutisht për buxhetin, por për të mbrojtur mjedisin. Berisha tha se, ka një ristrukturim të taksës së qarkullimit, taksë e regjistrimit të automjeteve, por qeverisë vendore do t’i mbetet 20 për qind e këtyre taksave, nga buxheti i shtetit.