E Diel, 1 Nëntor 2026

Paketa e re fiskale, rrit çmimin e karburanteve ul të veshjeve

SHKRUAN: Blerina Hoxha 14-07-2011 11:22

Ndryshimet në paketën fiskale, të miratuara nga qeveria dje, pritet të rrisin të paktën me 7 lekw për litër çmimin e karburanteve dhe të ulin afërsisht me 10 për qind çmimin e veshjeve. Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së djeshme ka miratuar paketën e fiskale, në themel të së cilës janë heqja e doganës për automjetet, rritja e akcizës për karburantet, ulja e akcizës për birrën dhe heqja e tarifës doganore 10 për qind për veshjet.

Karburantet

Si rezultat i ristrukturimit të taksës së makinave, me paketën e re fiskale taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 5 lekë litri, deri në 31.12.2011, pas kësaj date, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 7 lekë litri. Kjo taksë zbatohet si për benzinën dhe gazoilin e importuar, ashtu edhe për ato të prodhuara në vend. Për pasojë, kjo taksë pritet të reflektohet menjëherë në çmimin e naftës dhe benzinës, të cilat do të rriten minimalisht me 7 lekë për litër. Taksa e karbonit, ose taksa e ndotjes, siç njihet ndryshe do të transferohet te çmimi i karburanteve. Taksa e karbonit që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, do të aplikohet edhe mbi disa kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte. Në këtë mënyrë, taksa e karbonit do të aplikohet mbi prodhimin vendas dhe importin e këtyre nënprodukteve të naftës, me këto nivele taksimi; gazoili 3 lekë për litër, benzinë, 1.5 lekë për litër, solar dhe mazut 3 lekë për litër, vajguri 3 lekë për litër, Koks naftë 3 lekë për kg. Taksa e regjistrimit të përvitshëm dhe taksa e qarkullimit të përvitshëm të makinave janë taksa që sipas skemës së re aplikohen në bazë të parimit të shfrytëzimit/përdorimit të infrastrukturës rrugore dhe të ardhurat prej tyre shkojnë në programet investuese të infrastrukturës rrugore. Ndërkohë grosistët e naftës janë të njohur tashmë me ndryshimet në paketën e re fiskale, e cila synon rritjen e mëtejshme të akcizës për karburantet. Mirëpo sipas tyre, taksa do të transferohet menjëherë në çmim, pasi edhe qeveria me këtë logjikë ka planifikuar rritjen e saj.

Veshjet

Tarifa e importit prej 10% për industrinë e konfeksioneve në vend, është hequr. Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Berisha u shpreh se, një nismë e tillë merret për të zgjeruar më tej këtë industri. Sipas Berishës, eksportet në këtë sektor kanë qenë pozitive dhe forcimi i mëtejshëm i tij, do të hapë vende të reja pune. Për shkak të kësaj mase, çmimet e veshjeve të gatshme në tregun e brendshëm pritet të ulen. Zerimi i tarifës doganore nga 10 për qind, që është aktualisht, do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se minimalisht çmimet e veshjeve në tregun e brendshëm pritet të ulen me 12 për qind, duke përfshihet dhe efektin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Për shkak të natyrës specifike që ka industria e veshjeve, shumë prej produkteve të saj paguajnë tarifë doganore dy herë. Përgjithësisht kompanitë europiane që prodhojnë veshje i kanë linjat e prodhimit në vende të tjera jashtë BE-së, ku shfrytëzojnë koston e ulët. Kjo bën që tarifa doganore për këto produkte të paguhet dy herë, njëherë kur hyjnë nga vendi prodhues në Bashkimin Europian, më pas kur importohen nga BE-ja drejt Shqipërisë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave thonë kjo ka sjellë një çmim të lartë të veshjeve të gatshme në tregun vendas. Sipas të dhënave zyrtare, bizneset e shitjes me pakicë të veshjeve paguajnë rreth 7 milionë euro në vit detyrime doganore në total, ku përfshihet tarifa dhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Në të njëjtin draft, qeveria parashikon edhe heqjen e tarifës doganore për lëndët e para që importohen nga industria e fasonit, edhe kjo një masë lehtësuese për të stimuluar industrinë e prodhimit të veshjeve në vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›