E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare, mblidhen nesër krerët europianë

Udhëheqësit evropianë do të zhvillojnë nesër një takim tjetër për të diskutuar krizën në vendet e eurozonës të cilat janë duke u përballur me vështirësi. Sipas mediave ndërkombëtare eurozona po përjeton një tjetër javë të zymtë dhe problemi i borxhit në Amerikë e ka shtuar pasigurinë.

Më shumë lajme të zymta vijnë për 17 vendet e eurozonës. Këtë javë, agjencia e vlerësimit të mundësisë për huamarrje Moody`s uli statusin e Irlandës shumë poshtë pas veprimeve të ngjashme që u morën kundër Portugalisë javën e kaluar. Agjencia Moody`s parashikon se ashtu si anëtari tjetër i eurozonës, Greqia, këto dy vende do të duhet të marrin një paketë të dytë ndihmash financiare.

Duke folur nga Spanja të martën, presidenti i Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy u përpoq ta qetësonte gjendjen e tensionuar të tregjeve.

“Unë jam plotësisht i vetëdijshëm për tensionet aktuale në tregjet e borxhit. Por më lejoni të jem shumë i qartë se ka një angazhim shumë të madh në nivelin më të lartë për të bërë çdo gjë që është e nevojshme për ta ruajtur stabilitetin financiar të eurozonës. Udhëheqësit duhet të heqin dorë nga axhendat e tyre të brendshme politike për t`u përballur me këtë situatë- dhe ata do ta bëjnë këtë” theksoi Rompuy.

Por takimi i ministrave evropianë të financave javën e kaluar në Bruksel nuk arriti të dalë me një plan të qartë veprimi. Kjo mund t`u lihet krerëve të BE-së, në qoftë se ata zhvillojnë bisedime urgjente të premten.
Çështja është se sa duhet të kontribuojë sektori privat në përpjekjen tjetër për t`i shpëtuar grekët dhe për të riparuar tërësisht fondin e bllokut për ndihma financiare duke e bërë atë më elastik.
Ndërkohë kryeministri italian Silvio Berluskoni është zotuar se do të miratojë me shpejtësi një projekt-ligj të debatueshëm mbi masat për shkurtimet e shpenzimeve qeveritare. Reagimi fillestar i analistëve ka qenë pozitiv. Por ata thonë se BE-ja ende duhet të dalë me një strategji afatgjatë për eurozonën dhe ekziston frika se marrja e vendimeve të vështira mund të shtyhet deri në vjeshtë.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›