E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosmarrëveshjet politike rëndojnë mbi ekonominë

Në këtë konkluzion ka arritur Drejtoria e Përgjithshme Ekonomiko-Financiare e Komisionit Evropian, e cila ka publikuar dje raportin periodik tremujor, kushtuar zhvillimeve në vendet kandidate apo në proces kandidimi për në Bashkimin Evropian, ku një kapitull i veçantë i kushtohet edhe Shqipërisë

Duke u mbështetur tek vëzhgimet e OSBE-së, KE thekson se zgjedhjet e fundit lokale në vend ishin transparente, por ato u dëmtuan nga një shkallë e lartë e polarizimit dhe e mosbesimit midis partive politike.

“Ndarjet e thella midis vijave partiake, së bashku me vonesën e rezultateve përfundimtare për zgjedhjen e kryebashkiakut të Tiranës vazhdojnë të rëndojnë mbi performancën ekonomike të vendit”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave zyrtare të përkohshme, theksohet në raport, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë është rritur 3.4 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, në bazë vjetore. Kjo shënon një ulje nga ritmi prej 5.6 përqindësh i tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Ritme më të ulëta vihen re në sektorët e industrisë, tregtisë, hotelerisë dhe transportit.

Sa i përket tregtisë, gjatë tremujorit të parë të vitit, eksporti shënoi një rritje në masën 46 për qind, me shitjen e energjisë elektrike dhe të materialeve të ndërtimit në radhë të parë. Po kështu, rritje të fuqishme kanë pasur eksportet e produkteve të tekstilit e këpucëve. Por, në muajin prill ritmi i eksportit u ul dhe pati një kthim prapa gjatë majit, si pasojë e rënies së shpejtë të eksportimit të energjisë elektrike.

Importi u rrit 16 për qind në tre muajt e parë, i shtyrë nga importi i makinerive e pajisjeve, në kuadër të rritjes së investimeve me fonde shtetërore. Po kështu, rritje u shënuan edhe në importin e ushqimeve dhe mineraleve e karburantit, si pasojë edhe e rritjes së çmimit të tyre në tregjet e huaja. Në prill e në maj importet vijuan rritjen.

Deficiti në këtë periudhë të vitit është i zakonshëm, thuhet në Raport, por ai është më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, edhe si pasojë e faktit që daljet e qytetarëve jashtë vendit nxorën më shumë para jashtë vendit se sa ishte rritja nga turizmi në hyrje.

Ndërkohë, prurjet nga emigracioni, të cilat kanë qenë të konsiderueshme për vendin në vite, kanë vijuar të ulen, thekson raporti i KE-së. Sipas Brukselit, në fund të tremujorit të parë të vitit në vazhdim është konstatuar një shumë 10% më e ulët e prurjeve valutore nga emigrantët, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, transfertat e parave janë ulur në masën 7 për qind.

Sa i përket inflacionit, rritja e çmimeve ka shënuar nivele më të larta nga objektivi i Bankës së Shqipërisë, që synon ta mbajë inflacionin midis 2 dhe 4 për qind. Pas një kulmi prej 4.5 përqindësh në baza vjetore, të shënuar në muajin shkurt 2011, gjatë majit inflacioni ishte 4.2 për qind. Monedha shqiptare është zhvlerësuar në tremujorin e dytë të vitit me 1.7 për qind ndaj euros, por është rivlerësuar me 1.3 për qind në këmbimet me dollarin amerikan. Në muajin mars, Banka e Shqipërisë kishte vendosur ta rriste normën bazë të interesit me 0.25 për qind, por e ka lënë atë më pas në 5.25%, pa e lëvizur. /Start/

                                                                                             2011-07-13 16:04
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›