E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pas 600 vjet sakrificash, kosovarët mbërritën në brigjet e lirisë

Sapo përjetuam si shqiptarë momentin më solemn të kombit, do të thosha ditëlindjen e vërtetë të tij. Kështu ka deklaruar dje Kryeministri Sali Berisha, pak çaste pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke vënë ën dukje se “deputetët e Kosovës votuan pavarësinë e vendit të tyre, duke shënuar kështu nxjerrjen dhe vendosjen e Kosovës në brigjet e lirisë, shpresës, dinjitetit dhe integrimit europian, pas një udhëtimi 600 vjeçar sakrificash sa asnjë komb tjetër në histori”. Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha garantoi se qeveria shqiptare do të japë të gjithë ndihmesën e saj për konsolidimin e kësaj pavarësie, do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA dhe BE-në për suksesin e plotë të këtij akti madhor, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë Ballkanin. Duke u shprehur optimist për një kapitull të ri në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, Kryeministri Berisha theksoi se “Shqipëria beson se hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve e serbëve dhe e siguron kombin serb, SHBA-në, vendet e mëdha të BE-së, se ne do të bëjmë çdo përpjekje për paqen, stabilitetin dhe integrimin rajonal”. “Kjo ditë, ky moment, detyron çdo shqiptar të përulet me nderimin më të thellë para lumenjve të sakrificave mbinjerëzore që shqiptarët e Kosovës bënë për liri, dinjitet dhe pavarësi, për të shpëtuar kombin. Edhe një herë, dua të theksoj se ishin kryengritjet e mëdha gjigante të fillimit të shekullit të kaluar që e bënë Shqipërinë të pavarur dhe bënë që kombi ynë të mbijetojë si një komb i pavarur në njërën pjesë të tij”, deklaroi z. Berisha në përshëndetjen e tij. Ai shprehu nderimin më të thellë për veprën e pavdekshme të Presidentit Ibrahim Rugova, themeluesit të Kosovës moderne europiane, komandantit legjendar Adem Jashari, simbolit më të ndritur të qëndresës dhe sakrificës kombëtare për liri e dinjitet, para dhjetëra e mijëra djemve e vajzave të Kosovës, që mbushën rrugët e malet e saj për të mbrojtur nderin e dinjitetin kombëtar. Shefi i ekzekutivit shqiptar, duke shprehur një nderim të veçantë për përfaqësuesit e qeverive të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, etj, që “qëndruan në anën e lirisë së një kombi të shtypur”, vlerësoi se akti i pavarësisë së Kosovës “e bën Ballkanin më të lirë e më të drejtë se kurrë”. “Parlamentarët e Kosovës firmosën me votën e tyre fundin e një gadishulli që bazohej në hegjemoninë e një kombi ndaj kombeve të tjera dhe çelën përfundimisht kapitullin e një rajoni të kombeve të barabartë, të kombeve që punojnë për një projekt të përbashkët, për integrimin europian dhe në NATO, të kombeve, të vendosur të lënë mbrapa armiqësitë e konfliktet dhe të ndërtojnë bashkëpunimin, miqësinë dhe të ardhmen e përbashkët”, vuri në dukje kreu I qeverisë Berisha. Duke vënë në dukje se pavarësia e Kosovës e bën kontinentin tonë më të drejtë, sepse i jep fund një prej padrejtësive më të mëdha të fillimshekullit të kaluar, Berisha garantoi se “qeveria shqiptare do të japë të gjithë ndihmesën e saj për konsolidimin e kësaj pavarësie, do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA dhe BE-në për suksesin e plotë të këtij akti madhor, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë Ballkanin”. “Shqipëria në ditët që vijnë do të bashkërendojë të gjitha qëndrimet e veta me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeveritë e vendeve mike të Bashkimit Europian. Shqipëria beson se hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve e serbëve dhe siguron kombin serb, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e mëdha të Bashkimit Europian se ne do të bëjmë çdo përpjekje për paqen, stabilitetin dhe integrimin rajonal”, deklaroi më tej Berisha.
Topi: Pavarësia e Kosovës, fitorja më e madhe e demokracisë në Evropën Lindore që nga rrëzimi i Murit të Berlinit/Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e vlerësoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës si “fitoren më të madhe të demokracisë në Evropën Lindore që nga rrëzimi i Murit të Berlinit”. Kreu i Shtetit Bamir Topi ka përcjellë urimin e tij, duke përshëndetur shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Presidenti i republikës deklaroi se 17 shkurti 2008, do të mbetet një minutë historike që është fryt i kurorërizimit të përpjekjeve dhe sakrificave madhore, përbën fillimin e një epoke të re besimi reciprok dhe shprese në të ardhmen, në të gjithë Evropën, duke lënë përfundimisht pas, kohën e luftërave ndëretnike të përgjakshme, kohën e genocidit dhe spastrimeve mbi baza etnike, kohën e kombeve të privilegjuara e të nënshtruara. Sipas tij, në këto çaste, ne kujtojmë me respekt dhe nderojmë veprën e të gjithë atyre që luftuan, sakrifikuan, dhanë jetën dhe gjakun e tyre, burrat, nënat dhe motrat kosovare, për realizimin e këtij akti historik. Presidenti shqiptar shprehu një falënderim të veçantë për gjithë aleatët e rëndësishëm ndërkombëtare, të cilët shprehën vendosmërinë dhe angazhimin e tyre serioz gjatë gjithë procesit të përfundimit të statusit të pavarësisë së Kosovës.
Basha: Pavarësia e Kosovës, akt emancipues që do të ndihmojë në përshpejtimin e proceseve integruese të të gjithë rajonit/Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha deklaroi dje, se Pavarësia e Kosovës është një akt emancipues, i cili në radhë të parë ofron oportunitete të mëdha për gjithë qytetarët e Kosovës, shqiptarët, por edhe përfaqësuesit e minoriteteve. Shefi i diplomacisë shqiptare vuri në dukje se, pavarësia e Kosovës, ndryshe nga çdo akt tjetër që ka ndodhur në Kosovë në 100 vitet e fundit, nuk drejtohet kundër asnjë etniteti, apo kundër asnjë shteti apo pale. “Afron oportunitete të jashtëzakonshme për rajonin tonë, për një përshpejtim të proceseve integruese europiane dhe euro-atlantike për të gjitha vendet, duke përfshirë edhe Serbinë, e cila këtë rast mund ta përdorë për t’u ndarë një herë e mirë nga e kaluara e hidhur e dekadave të fundit dhe për t’u orientuar përfundimisht drejt atij ylli polar, të cilit i janë drejtuar të gjitha vendet e tjera të rajonit të Europës Juglindore, integrimit në BE dhe NATO”, tha Basha. Përse i takon njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Shqipëria, Basha përmendi një frazë të deklaruar nga Kryeministri Berisha, i cili ka përsëritur disa herë para medias vendase dhe asaj ndërkombëtare, se “Shqipëria e ka njohur, e njeh dhe do ta njohë Kosovën e pavarur”.
Kuvendi i Shqipërisë përcolli me emocion ngjarjen e madhe, pavarësinë e Kosovës/Kuvendi i Shqipërisë, i mbledhur dje pas mesditës, përcolli drejtpërdrejt përmes një monitori, emocionet e shpalljes së Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Atmosfera festive që shoqëroi kombin shqiptar në ato momente ishte prezente edhe në sallën e seancave parlamentare, e veshur me flamuj dhe simbole të tjera kombëtare. Në këtë seancë të hapur të parlamentit ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetë, ministra, intelektualë, qytetarë të të gjitha moshave, përfaqësues të trupit diplomatik, të akredituar në Tiranë, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›