Njohja nis me SHBA-në, priten edhe 100 të tjerë
“Shtetet e Bashkuara njohin sot zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Ne përshëndesim popullin e Kosovën në këtë moment historik, thuhet në deklaratën e djeshme të Sekretares së Departamentit Amerikan të Shtetit, Kondolica Rajs. Presidenti Bush iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Kosovës për të vendosur marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve. Vendosja e këtyre marrëdhënieve do të konsolidojë lidhjet e veçanta të miqësisë mes popujve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kosovës. Nëntë vjet më parë, komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga NATO-ja ndërhynë për t’i dhënë fund sulmeve brutale ndaj popullatës shqiptare të Kosovës. Kjo ndërhyrje në kohën e duhur i dha fund dhunës, duke çuar në vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’i pezulluar Beogradit të drejtën për të qeverisur Kosovën dhe për ta vënë atë nën administrim të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara. Që prej atëhere Kosova ka ngritur institucionet e saj demokratike janë kontrollit të Beogradit. Vitin e kaluar i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, hartoi një plan për ndërtimin e një Kosove demokratike dhe shumetnike dhe rekomandoi që Kosova të jetë e pavarur, një pavarësi e mbikëqyrur për një farë periudhe nga komuniteti ndërkombëtar. Në kuadrin e konflikteve të viteve ‘90-të, pavarësia është i vetmi opcion i mundshëm për të nxitur stabilitetin në rajon. Shtetet e Bashkuara mbështesin Planin Ahtisaari dhe do të punojnë me partnerët e tyre ndërkombëtarë për ta vënë atë në zbatim. Ne mirëpresim angazhimet që Kosova bëri në shpalljen e pavarësisë për të zbatuar Planin Ahtisari për të përqafuar aspektin shumë-etnik si një parim themeltar i qeverisjes së mirë dhe për të mirëpritur periudhën e mbikëqyrjes ndërkombëtare. Kombinimi i pazakontë i faktorëve në realitetin e Kosovës, përfshirë edhe shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, historinë e spastrimeve etnike dhe krimeve kundër civilëve në Kosovë, si dhe periudha e zgjatur e administrimit të OKB-së, nuk gjenden tjetërkund dhe prandaj e bëjnë Kosovën një rast unik. Kosova nuk mund të shihet si një rast pararendës për asnjë situatë tjetër në botë sot. Shtetet e Bashkuara e shfrytëzojnë këtë mundësi për të ritheksuar miqësinë tonë me Serbinë, si një aleate gjatë të dyja luftrave botërore. Ne i ftojmë udhëheqësit serbë të punojnë së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë për të përmbushur synimet tona si mbrojtjen e të drejtave, sigurisë dhe jetesës së komunitetit serb në Kosovë. Ndërkohë që Kosova fillon sot jetën e saj si një shtet i pavarur, Shtetet e Bashkuara zotohen të vazhdojnë të jenë miku dhe partneri i saj i ngushtë.
Presidenti Bush: Kosovarët tash janë të pavarur/Në një intervistë për NBC lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, presidenti amerikan Xhorxh Bush tha se "kjo është diçka që unë kam këshilluar së bashku me Qeverinë time". "Plani i Ahtisarit është rruga përpara", deklaroi Bush. "Ne do të shohim tash zhvillimet e sotme. Kosovarët tash janë të pavarur", theksoi presidenti amerikan Xhorxh Bush
Kandidatët presidencialë demokratë, Klinton dhe Obama, deklarata për pavarësinë e Kosovës/Në mes të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, dy kandidatët demokratë Hillari Klinton dhe Barak Obama nxorën të dielën deklarata për pavarësinë e Kosovës. Në deklaratën e saj, zonja Klinton përshëndeti shpalljen e pavarësisë që ajo e quajti “historike”. “I inkurajoj miqtë dhe aleatët tanë në gjithë botën që së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian të njohin pavarësinë e Kosovës menjëherë”, shprehet zonja Klinton. Zonja Klinton shton në deklaratën e saj se ky është një hap që do t’i japë mundësi popullit të Kosovës që më në fund të jetojë në shtetin e vet demokratik dhe do t’i lejojë Kosovën dhe Serbinë që më në fund të lënë pas një kapitull të vështirë të historisë së tyre dhe të ecin përpara. Ka ardhur koha, tha ajo që të përqendrohemi tek e ardhmja dhe tek sfidat e ndërtimit të një Kosove të pavarur dhe të mbështesim një Serbi demokratike në një Evropë të integruar. Në deklaratën, zonja Klinton lë të kuptohet se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe në komunitetin euro-atlantik do të jetë përparësi e saj, nëse zgjidhet presidente. Ndërsa senatori Barack Obama, në deklaratën e tij vë theksin tek fakti që rasti i Kosovës është unik dhe nuk përbën precedent. “Shpresoj që qeveria e Kosovës dhe populli i saj të veprojnë me urgjencë në mënyrë që Kosova të bëhet një shembull pozitiv qeverisjeje demokratike dhe të shtetit ligjor. E gjithë popullsia e Kosovës, qofshin shqiptarë, serbë ose të pakicave të tjera duhet të jenë në gjendje që të jetojnë në një shoqëri të lirë, tolerante dhe të begatshme, ku të drejtat e pakicave dhe objektet fetare të mbrohen plotësisht dhe suksesi i secilit nga grupet e popullsisë varet nga tjetri”. Ai bëri thirrje për integrimin e Serbisë në komunitetin euro-atlantik dhe tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë me aleatët evropianë në emër të sigurisë dhe begatisë së gjithë rajonit. Jam i bindur, përfundon ai se me mbështetjen tonë, Serbia dhe Kosova mund të kthehen në modele të rritjes demokratike dhe ekonomike dhe popujt e tyre të shohin një të ardhme të ndritur.