E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pata një drekë të shijshme me kryeministrin norvegjez. I kërkova ndihmë për pyllëzimin

Share

Pas takimit që kryeministri Berisha ka zhvilluar me homologun e tij norvegjez, Jens Stoltenberg, Kryeministria ka zbardhur një pjesë të fjalimit që kanë mbajtur dy kryeministrat gjatë konferencës së tyre.

Në këtë takim është evidentuar marrëdhënia e mirë Norvegji-Shqipëri, si dhe dëshira për bashkëpunim, sidomos në fushën e energjisë, ku Norvegjia ka interesa të rëndësishme në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se, Së pari, dua ta falënderoj Kryeministrin Stoltenberg për këtë mikpritje të madhe, për drekën shumë të shijshme, si dhe për bisedat shumë frutdhënëse që patëm së bashku. Kryeministrin Stoltenberg e kam takuar disa herë dhe tani patëm rastin të ulemi e të flasim për mundësitë reale të vendeve tona dhe për të forcuar bashkëpunimin. Pa dyshim çështja më madhore ishte energjia. Dy ndër kompanitë më të mëdha norvegjeze në fushën e energjisë, Statkraft dhe Statoil, janë të përfshira thellësisht në punën në Shqipëri. Edhe kompani të tjera po punojnë. Kryeministri më siguroi që do të mbështesë plotësisht investitorët dhe kompanitë norvegjeze që do të investojnë në Shqipëri në fushën e energjisë, si dhe të fuqizojmë bashkëpunimin në këtë fushë kaq nevralgjike, siç është energjia.

Me pas, Berisha ka thënë se ka kërkuar ndihmë nga homologu i tij norvegjez, për pyllëzimin e vendit tonë me dru frutorë.

Unë e  informova, gjithashtu, Kryeministrin për dëshirën time për tu bërë të gjelbër në çështjet e energjisë, gjithashtu, edhe në pyllëzim. Norvegjia po ndihmon shumë vende në programet e pyllëzimit në kuadër të përballjes me pasojat e ndryshimeve klimaterike. Kemi shpresë se Kryeministri dhe qeveria e Norvegjisë do të ndihmojnë Shqipërinë në këtë përpjekje të madhe për pyllëzim të mirë, politikave të pyllëzimit nëpërmjet pemëve frutore.

E ftova Kryeministrin të vizitojë Shqipërinë dhe ai e pranoi ftesën. Do të jem shumë i kënaqur ta pres sa më shpejt, përfundoi fjalën e tij Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›