E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Pensionistët të shënojnë pashpirtësinë tuaj”. Ruçi: Je i sëmurë

27/07/2010 Kuvendi voton buxhetin 2010 të ndryshuar. Replika Berisha-Ruçi

Kuvendi votoi me 75 votat e mazhorancës ndryshimet e qeverisë për buxhetin e këtij viti, projekt i cili u kundërshtua nga opozita, dhe pse ajo nuk mori pjesë në votim. Ky kundërshtim u përdor politikisht nga palët, ku në mënyrë të veçantë kryeministri Berisha e përktheu si një kundërshtim të PS-së ndaj politikës së qeverisë për të rritur pensionet. “Çfarë e majte mund të pretendoni ju kur shihni se është mbidyfishuar fatura sociale për ndihmën ekonomike dhe invaliditetet. Se të ngriheni dhe të thoni se rritja e pensioneve është krim, por krim është të mos rritësh pensionet. Keni dy muaj që e kundërshtoni. Si mund t’i lejoni vetes të kundërshtoni rritjen e pensioneve? I bëj thirrje çdo pensionisti shqiptar të mbajë shënim pashpirtësinë tuaj”, - tha kreu i qeverisë. Por argumenti i tij u kundërshtua nga kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruç i. “Për sa i përket asaj që thoni ju se ne trumbetojmë me të madhe se rritja e pensioneve qenka fatkeqësi, jo në atë kuptim që doni dhe ju pëlqen ta interpretoni ju. Rritja e pensioneve është qesharake, zoti Kryeministër. Rritja e pensioneve është qesharake, për arsye se jetesa e tyre është shtrenjtuar në mënyrë galoponte. Ne ju kemi dhënë këtu në këtë sallë plot argumente, që jo vetëm pse rritja është sa gjysma e asaj në përqindje që kemi rritur ne kur kemi qenë në pushtet, por krahasimet prapë nuk duhen bërë me ne, duhen bërë me nevojën për të prodhuar jetesën”, - tha Ruçi. Sipas tij, kriza ekonomike ndodh nga keqqeverisja e tij. “Ndodhin nga keqqeverisja juaj se këtu te ne lulëzojnë monopolet e krijuara nga ju. Se këtu lulëzojnë licencat korruptive të qeverisura nga ju. Se këtu lulëzojnë transaksionet korruptive të realizuara nga ju. Se këtu ekzistojnë trojet, prandaj nuk u kthehet prona ish-pronarëve, apo prandaj nuk kompensohen ata, se akoma s’jeni kompletuar ju me babëzinë që kini”, - vijoi ai. Kreu i kuvendorëve të PS-së i kujtoi shefit të ekzekutivit edhe paralajmërimet e opozitës 9 muaj më parë për vështirësitë ekonomike që po kalon sot vendi. Seanca e djeshme nisi pikërisht me diskutimet rreth buxhetit të ndryshuar, ku kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë Edmond Spaho bëri një përmbledhje të propozimeve. Ndërsa ministri i Financave Ridvan Bode sqaroi se ndryshimet në buxhet nuk kanë sjellë shkurtim të faturës sociale, duke theksuar se kjo faturë është 40 % më e lartë në rajon në raport me prodhimin e brendshëm bruto dhe është dyfishuar në raport me faturën sociale të periudhës së qeverisjes socialiste. “Buxheti konfirmon rritjen e pagave dhe pensioneve në masën më të madhe që është realizuar në periudhën e qeverisjes suaj”, - tha Bode, duke theksuar se fondi për ndihmën ekonomike është dy herë më i lartë se në vitin 2004, që socialistët e cilësojnë si vitin më të mirë për këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›