E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Për 2-3 ditë do të hapet autostrada Tiranë-Elbasan

Kjo rrugë mbi të gjitha bashkon tregjet e këtyre dy qyteteve

berisha per ramenGjatë një bashkëbisedimi me biznesmenë të qytetit të Elbasanit, kryeministri Sali Berisha njoftoi se pas tre ditësh do të hapet autostrada Tiranë-Elbasan. Kreu i qeverisë tha se kjo rrugë do të bëjë të mundur afrimin e tregjeve mes Tiranës dhe Elbasanit.
Rruga
Kam besim të madh se ajo rrugë që këto 2-3 ditë do të hapet, ajo rrugë bashkon Tiranën me Elbasanin, por mbi të gjitha bashkon tregjet e këtyre dy qyteteve. Është një zhvillim i jashtëzakonshëm për mbarë Shqipërinë, sepse zhvillimi, rritja, zmadhimi i gjeneratorit të zhvillimit Tiranë-Elbasan-Durrës çon përpara gjithë Shqipërinë. Ne hoqëm taksën mbi kapitalin, krijohet që mundësia e parkut logjistik në Elbasan, e cila bëhet më reale për shkak të rrugës dhe do të jetë shumë më tërheqëse, deklaroi kryeministri Berisha. Duke ju përgjigjur pyetjeve të përfaqësuesve të biznesit, kryeministri tha se qeveria do të bëjë gjithçka për dixhitalizimin e administratës duke i ardhur kështu në ndihmë biznesit me lehtësimin e procedurave. Biznesi është sektori që mund të asistohet në mënyrën më të fuqishme dhe me efiçentë me procedurat dixhitale, askush më shumë se në biznes këto procedura nuk janë efiçentë, tha kryeministri Berisha ndër shtoi se Ne po përpiqemi shumë ta kualifikojmë administratën dhe po e bëjmë, por procedurat dixhitale kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për të lehtësuar biznesin. Kreu i qeverisë tha se ndërtimi i hidrocentraleve do të bëjë të mundur uljen e çmimit të energjisë elektrike. Janë në ndërtim e sipër edhe mbi 200 megavat, janë firmosur kontrata për 1650 megavat. Nëse ka një gjë që po ecën me vrap është kjo, ndërtimi i hidrocentraleve  dhe mes Elbasanit dhe Tiranës janë disa. Ky është avantazh dhe kjo është energjia me çmimin më të lirë, shpreh kryeministri Berisha. Lidhur me pagesën e kontributeve shoqërore për emigrantët, kryeminstri u shpreh se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave me BE-në, i jep përgjigje përfundimtare këtij problemi. Jemi në negociata me qeveritë e vendeve të tjera. 100 % kjo bëhet e sigurtë kur të ecim më tej në rrugën drejt integrimit në BE. Më pas kjo nuk pengohet dot më sepse je duke hyrë përfundimisht në hapësirën evropiane. Por ne po përpiqemi ta bëjmë edhe më herët, deklaroi kryeministri Sali Berisha.

Berisha: Rama të çlodhet në autobus,
ne do lodhemi për mirëqenien tonë

Kryeministri Sali Berisha prezantoi në komunën Tregan të Elbasanit kandidatin për deputetë të PD-së, Aurel Bylykbashi. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek investimet e bëra gjatë këtyre tetë viteve në këtë zonë ndërsa premtoi të tjera investime në katër vitet e ardhshme. Ne do të trefishojmë katër vitet që vijnë grandet për ju të dashur fermer të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë. Të rimbursojmë me para me dorë akcizën e naftës, të gjitha makineritë, plehrat kimike apo inputet e tjera, që do të përdorni për fermat tuaja. Do të përgjysmojmë taksat për çdo objekt turistik në Tregan, Zavalin, Fushë- Studen dhe kudo që ndërtohet. Do të bëjmë gjithçka për krijimin në Elbasan të dhjetëra, mijëra vendeve të punës, tha kryeministri Berisha. Duke u ndalur tek opozita kryeministri ironizoi duke thënë se tashmë timonin e autobusit ja ka marrë Koço Kokëdhima. Ta lëmë shokun në kuti në autobusin mavi, se tani edhe timonin ia ka marrë Koço (Kokëdhima) dhe nuk ia lëshon më. Nuk është më në timon, ti themi edhe njëherë çlodhu o shoku Rama, çlodhu, se ne do të vazhdojmë çdo ditë të lodhemi, të lodhemi për mirëqenien tonë, të lodhemi për bizneset dhe fermat tona, të lodhemi për edukimin e fëmijëve tanë, të lodhemi për të fituar më shumë për shkolla të reja, për rrugë të reja,  qendra shëndetësore. Të lodhemi për të ecur para në integrimin tonë ne Evropë, përfundoi kryeministri Sali Berisha.

Arben Imami dhe Eduart Selami
takim me të rinjtë e Librazhdit
Kryesuesi i fushatës elektorale të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami së bashku me kandidatin për deputetë, Eduart Selami zhvilluan një takim me të rinj të qytetit të Librazhdit. Gjatë fjalës së tij, Imami tha se PD është partia e të rinjve, ndërsa i ftoi të rinjtë të votojnë për Partinë Demokratike në 23 qershor. Rinia juaj është rini e lirisë, është rinia e Evropës, e zhvillimit, është rini e cila do ti japë fitoren PD në 23 qershor. Kjo parti është partia juaj, Edi ka qenë 27 vjeç kur është themeluar PD, ashtu si Azem Hajdari. Ata e themeluan, por PD është e juaja, e të rinjve, është parti që do të mbetet gjithmonë parti e së ardhmes, një parti që do të shohë gjithmonë nga ardhmja, një parti e cila e shkëputi nga diktatura komuniste, çau muret e komunizmit, çau të gjitha muret, dhe tashmë do të çajë edhe murin e fundit atë të bllokimit i cili do ta na dërgojë në Evropë. Votoni për Partinë Demokratike, votoni 44, votoni Sali Berishën, tha Arben Imami.

PDIU hap fushatën në Tropojë, Idrizi
nderohet me titullin Qytetar Nderi

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet çeli fushatën e saj elektorale në Tropojë. Gjatë fjalës së tij, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi prezantoi disa nga pikat kryesore të programit për sa i përket zhvillimit ekonomik. Ne mendojmë se shoqëria dhe ekonomia shqiptare duhet të kenë një zhvillim të qëndrueshëm dhe ju e dini më mirë se kushdo që kjo nuk bëhet pa pasur lidhjet historike me ekonominë e Kosovës e të çdo treve shqiptare. Nuk mund të kërkojmë rritje ekonomike pa ndryshuar strukturën, pa bashkuar ekonominë e trevave shqiptare, në mënyrë që njëkohësisht të rrisim unitetin e kombit tonë dhe të rrisim edhe tregjet. Shteti shqiptar në këto vite nuk ka shfrytëzuar mundësitë dhe Tropoja është shembulli për këtë, tha Idrizi. Ndërkohë më herët, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, Agron Demushi ku ky i fundit i akordoi titullin Qytetar Nderi me motivacionin për kontributin e tij të veçantë në çështjen kombëtare dhe në përballimin e situatës së jashtëzakonshme të vitit 2012.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›