E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Për 2-3 ditë hapet rruga Elbasan Tiranë, merr hov zhvillimi ekonomik

ELBASAN-“Rruga Tiranë- Elbasan do të hapet këto ditë, ajo është një zhvillim për mbarë Shqipërinë.” Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha sot gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit në qarkun e Elbasanit.

Sipas kreut të qeverisë, kjo rrugë do të shtojë investimet e huaja në këtë zonë.

“Ajo rrugë për 2-3 ditë do hapet, bashkon Tiranën me Elbasanin dhe mbi të gjitha bashkon tregun e Elbasanit me Tiranën. Do të sjellë një zhvillim të madh për mbarë Shqipërinë. Të them të drejtën investitorët e huaj preferonin Tiranën dhe pse unë u zugjeroja Elbasanin. Të huaj kërkonin rreth e rrotull Tiranës. Tani me hapjen e rrugës mendoj se do ndryshojë çdo gjë”. 

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjithashtu gjatë bashkëbisedimit me biznesin e Elbasanit se, mbështetja ndaj biznesit është garanci për zhvillimin.
“Biznesi është sektori që mund të asistohet në mënyrën më efiçente me procedurat dixhitale. Askund më shumë se në biznes këto procedura janë efiçente”, tha Berisha.

Lidhur me pagesën e kontributeve shoqërore për emigrantët, kryeminstri u shpreh se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave me BE-në, i jep përgjigje përfundimtare këtij problemi.

“Jemi në negociata me qeveritë e vendeve të tjera. 100 % kjo bëhet e sigurtë kur të ecim më tej në rrugën drejt integrimit në BE. Më pas kjo nuk pengohet dot më sepse je duke hyrë përfundimisht në hapësirën evropiane. Por ne po përpiqemi ta bëjmë edhe më herët”, tha Berisha.

Kryeministri siguroi se do të fillojë edhe ndërtimi i By-Passit të Elbasanit dhe parku industrial. Kryeministri kërkoi nga biznesmenët e qarkut të Elbasanit që të krijojnë një projekt duke i ardhur kështu në ndihmë qeverisë.

Duke folur për energjinë, kreu i qeverisë tha se, “janë firmosur kontrata për 1650 mega/vat. Ndërtimi i HEC-eve po ecën me ritëm të lartë", tha Berisha, ndërsa garantoi se "Edhe projekti i gazsjellësit TAP së shpejti pritet të miratohet”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›