Berisha: Për kutitë, Rama t'i drejtohet Prokurorisë
Kryeministri, Sali Berisha, pranon vetëm kërkesën për marrjen e shumicës në komisionin hetimor, nga ana e opozitës
TIRANË - Kryeministri, Sali Berisha, ka pranuar vetëm një pjesë të kërkesave të opozitës, dhe vetëm atë që lidhet me përfaqësimin e saj në shumicë në komisionin hetimor parlamentar.
Sipas Berishës, opozita do të ketë të drejtën, që edhe ta kryesojë këtë komision. Megjithatë, në konferencën e djeshme për shtyp, Berisha jo vetëm që nuk e ka qartësuar nëse i referohej pikërisht ngritjes së një komisioni hetimor, por nuk ka pranuar kërkesën kryesore te opozitës, atë të hapjes së kutive të votimit.
"Ajo çka unë kam ofruar dhe ofroj që për të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në raport, ftoj opozitën të vijë në Kuvend, të ketë shumicë në komision dhe të përcaktojë frymën dhe gërmën e tyre, në ligje. Unë kam qenë dhe jam gjithnjë i vendosur t'i njoh opozitës të drejtën e vendimmarrjes për problemet zgjedhore,"- tha dje Berisha.
Ai shtoi se, "ne jemi gati t'i japim shumicën, ia japim 10 herë shumicën, pasi nuk e kemi problem këtë. Ligji thotë se ai që paraqet kërkesën ka kryetarin. Ne i lëmë shumicën, madje ia paraqesim ne kërkesën, por jo për të thyer vendimin e gjykatave".
Për këtë arsye, lideri i mazhorancës vuri në dukje se kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duhet t'i drejtohet Prokurorisë për të paraqitur argumentet dhe provat, pasi sipas Berishës, Prokuroria është institucioni që ka përgjegjësinë për të marrë vendimet e duhura. "Ndaj, të shkojë në Prokurori, t'i paraqesë të gjitha çështjet atje dhe Prokuroria ka tagrin të marrë të gjitha vendimet e duhura.
Të gjejë të gjitha argumentet, çështjet që t'ia paraqesë Prokurorisë dhe Prokuroria, qoftë ajo e rretheve, qoftë ajo e përgjithshme ka tagrin e plotë të urdhërimit, të hetimit, të shqyrtimit të çështjeve",- sqaroi ai. Megjithatë, kryeministri Sali Berisha është pyetur se ndaj kujt duhet të bëhej kallëzimi penal, pasi propozimi në fjalë ishte pa zgjidhje për opozitën.
"Në interpretimin tim, nuk po i jap një zgjidhje pa zgjidhje, sepse prokuroria nuk është një organ që varet nga gjykata. Prokuroria varet nga ligji dhe sa herë që një qytetar apo subjekt politik, në rastin konkret, paraqet fakte dhe argumente, prokuroria mbi bazën e ligjit është e detyruar të hapë hetimin. Ndaj kujt? Nuk e di.
Është kryetari i opozitës që deklaron se ka mashtrime në numërim, në një kohë kur watchdog-u ndërkombëtar me 500 vëzhgues dhe 5 mijë vëzhgues të tjerë shqiptarë thonë se nuk ka të dhëna për manipulim në rezultate, apo numërim të parregullt",- tha ai.
Kreu i ekzekutivit evidentoi gjithashtu, se si mazhoranca dhe opozita, me gjithë fuqinë e madhe politike që kanë, nuk mund të shkojnë përtej kufirit të tyre politik dhe nuk mund të kenë fuqi gjyqësore për të marrë vendime.
Lidhur me protestën, që opozita do të organizojë ditën e shtunë, Berisha tha se kjo rrugë e zgjedhur nga ana e saj, nuk është në interes të vendit. "Me protesta mendon se do të bindë Evropën? Kjo nuk është gjë e mirë. Mund të protestosh, por kur nuk ke një bazë ligjore...", - tha Berisha.
------------------------------------------------
Berisha: Do të sjellim në Shqipëri eshtrat e Zogut, Nënë Terezës, Nolit dhe Mit'hat Frashërit
Komision për kthimin e eshtrave të Mbretit Zogu I
TIRANË - Qeveria pritet që të ngrejë së shpejti një komision qeveritar shtetëror, për rikthimin e eshtrave të mbretit Zogu I dhe anëtarëve të familjes mbretërore nga Franca në Shqipëri.
Kryeministri, Sali Berisha, deklaroi dje se qeveria e merr këtë vendim, duke i njohur, sipas tij, kontributin e madh që Ahmet Zogu ka dhënë në ndërtimin e shtetit modern shqiptar. "Mbreti prehet në varrezën e tij, rreth 15 - 20 km nga kryeqyteti i Francës, ndërkohë që familja mbretërore ka pasur varrezën e vet në kryeqytetin e vendit.
Familja Mbretërore, Mbreti dhe Mbretëresha, anëtarë të tjerë të familjes, do të rikthehen të pushojnë për jetë në varrezën e tyre dhe do të nderohen gjithnjë nga shqiptarët", - tha dje Berisha. Përveç rikthimit të eshtrave të Ahmet Zogut, Berisha theksoi se do të jenë edhe figura të njohura të kombit, eshtrat e të cilëve do të kthehen në atdhe.
Në këtë rast ai përmendi, se është duke u negociuar me qeverinë e Indisë për rikthimin e eshtrave të humanistes Nënë Tereza, si dhe figurave të tjera që kanë kontribuar në zhvillimin e vendit tonë.
Për pasojë, ai shtoi se në Shqipëri do të sillen edhe eshtrat e shkrimtarit të madh Fan Stiljan Noli. Sipas Kryeministrit, do të bëhen përpjekje për të sjellë në Shqipëri edhe eshtrat e Mit'hat Frashërit.