E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Laprakë, për një lojë tavëll

Prokuroria mbyll dosjen për dy shokët e viktimës të akuzuar për vrasje dhe fshehje të së vërtetës


TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, mbylli hetimin për vrasjen e 23- vjeçarit Edvil Koço, e ndodhur në Laprakë, pas debateve të ardhura gjatë një loje me tavëll, në ngarkim të shokut të viktimës, Donald Prengapuca si dhe Arben Bashës.


Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet ku edhe është regjistruar dosja,.


Sipas kërkesës për gjykim, me nr e dosjes 1926, Pregapuca ka konsumuar krimin e "vrasjes me dashje" ndaj Koços, i qëlluar me plumb në kokë pas zënkës së ardhur nga loja me tavëll, si dhe akuzohet edhe për "armëmbajtje pa leje të".


I pandehuri tjetër i kësaj dosjeje, Arben Basha, i vetëdorëzuar në polici akuzohet për " kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Sipas hetimit, ai pas krimit të shokut të tij ka fshehur armën e vrasjes.


Të pandehurit Basha dhe Pregapuca si dhe viktima Koço njiheshin prej kohësh bashkë, Mesditën 16 korrikut 2009, në dyqanin e pjesëve të këmbimit të automjeteve, ata ishin mbledhur të tre për tavëll.


"Për disa orë të rinjtë luajtën, deri rreth orës 15:30. Në këtë kohë, në lojë ishin i pandehuri Prengapuca dhe viktima Koço. Gjatë lojës mes tyre, kanë filluar debate me fjalë tallëse ndaj njëri-tjetrit.


Tallje këto që në fillim dukeshin si humor, pak minuta më vonë biseda mes tyre ka vazhduar me sharje dhe ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ndërhyrja e të pandehurit Basha nuk ka mundur të qetësojë gjakrat mes tyre. Në kulmin fyerjeve, 22- vjeçari Pregapuca në gjaknxehtësi e sipër ka qëlluar në drejtim të shokut të tij Koço me një pistoletë që e mbante në dyqan.


Plumbi e ka kapur viktimën në kokë, çka ka sjellë vdekjen e menjëhershme, edhe pse Koço, u transportua shumë shpejt për në Spitalin Ushtarak",- thuhet në kërkesën për gjykim.


Prengapuca është arrestuar nga policia, ndërsa i pandehuri tjetër Basha ka fshehur pistoletën e krimit duke e zhdukur atë. Pak ditë nga fshehja e tij, policia në bashkëpunim me pjesëtarët e familjes së të pandehurit Basha kanë arritur një marrëveshje, ku edhe është vetëdorëzuar i pandehuri 25 -vjeçar Basha që ka dorëzuar edhe armën e krimit në prokurori.


Tashmë, pritet që kryesuesi i treshes gjykuese të Gjykatës së Shkallës së Parë, gjyqtari Albert Meçe i caktuar nga Shorti, pritet të caktojë datën e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore ndaj dy të pandehurve Basha e Prengapuca.


Kapen 36 celularë në frigorifer për të fejuarin në burg

TIRANE- Kontrolli i Burgut në rrugën "Jordan Misja", në kryeqytet, ndaloi dje pasdite të fejuarën e një të dënuari me 36 aparate telefoni celularë, ndërsa po i dërgonte të fshehura në një frigorifer.


Fabiola Musai, 22 vjeçe nga Durrësi, u arrestua në flagrancë dje në mesditë nga policia e komisariatit nr.3, në kryeqytet, pasi ishte ndaluar nga rojet e policisë së burgut gjatë një kontrolli të kryer në ambientet përkatëse, pasi në frigoriferin që po i dërgonte të fejuarit të saj Klodian Meraja, policët e burgut gjetën 36 copë aparate telefonash celularë.


Menjëherë kjo fundit është prangosur prej punonjësve të policisë së burgut, ndërsa më pas është dërguar në komisariatin e policisë nr.3, të cilët kanë kryer edhe veprimet hetimore për rastin konkret.


Nga administrimi i telefonave policia ka konstatuar se ishin gjithsej 36 copë që ishin nisur për t'u futur në ambientet e burgut. Celularët dyshohet se do t'iu dërgoheshin personave të ndryshëm që i kishin porositur ndërsa policia nuk dha detaje, por sipas burimeve ata do t'i dorëzoheshin të fejuarit të të arrestuarës Klodian Meraja.


Ky i fundit është arrestuar dhe është i dënuar me 5 vite burg për krimin e vjedhjes. Sipas njoftimit të policisë, e arrestuara do të akuzohet për dhënie ndihme për largim nga burgu.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›